English

Shënim - Krizë - Greqia Përballet Sërish Me Grevë Të Përgjithshme

ATHINË, 7 korrik /ATSH-AFP/ - Trazira dhe çrregullimet të ndjeshme priten nesër në sektorin e transporteve dhe shërbimeve publike në Greqi, ku një grevë e re e përgjithshme është organizuar nga sindikatat kundër reformës dhe masave të rrepta ekonomike, të ndërmarra nga qeveria për të rimëkëmbur financat e vendit. Kjo grevë, e gjashta e përgjithshme që nga muaji shkurt, do të prekë sektorin e trafikut ajror, hekurudhor dhe detar, duke penguar turistët e huaj të mbërrijnë në ishuj grekë, sepse se të gjitha anijet dhe tragetet do të qëndrojnë të ankoruar në skelat e porteve. Dy kompanitë kryesore ajrore greke, ''Olympic Air'' dhe ''Aegean'', kanë parashikuar anulimin e 34 fluturimeve dhe shtyrjen e 45 të tjerëve, ndër të cilët shumë janë ndërkombëtarë. Një ndalim pune prej katër orësh e kontrollorëve të trafikut ajror, duke nisur nga 07:00 GMT, do të prekë po ashtu edhe kompanitë e tjera ajrore të operojnë në Greqi. "Asnjë fluturim nuk do të kryhet gjatë këtyre katër orëve", deklaroi për AFP një zëdhënës i aeroportit të Athinës. Transporti urban në kryeqytet do të jetë po ashtu i paralizuar si pasojë e grevës. Greva do të prekë edhe administratën po ashtu, spitalet dhe ndërmarrjet publike dhe do të shkaktojë një mungesë të plotë informacioni në vend për rreth 24 orë, si rezultat i grevës së plotë që ka nisur sindikata e gazetarëve. Greva, e organizuar nga dy sindikatat më të mëdha në vend, ''GSEE'' e sektorit privat dhe ''Adedy'' e funksionarëve, po ashtu edhe nga Fronti Sindikal Komunist ''Pame'', që parashikon të protestojë kundër projektreformave ekonomike që do të miratohen nga parlamenti grek nesër. Marshime dhe protesta janë parashikuar në të gjitha qytetet e mëdha, gjatë orëve të paradites. Projektreforma e masave ekonomike parashikon 40 vite pune, kundrejt 37 që ishin fillimisht të parashikuara nga ligji për mundësimin e daljes në pension, parashikon ulje mesatarisht me 7 për qind të pensioneve dhe përgjithëson në 65 vjeç moshën ligjore për daljen në pension. Qeveria socialiste është angazhuar për zbatimin e masave përballë zonës euro dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, në këmbim të një plani shpëtimi financiar për vendin, përmes huave prej 110 miliardë euro, përgjatë tre viteve./ /i.p/
KOMENTE