Shqipëria Dhe Belgjika Drejtojnë Grupin E Ecurisë Së Procesit Të Bolonjës
TIRANË, 7 KorrikATSH/.- Shqipëria merr drejtimin e Grupit të Ecurisë së Procesit të Bolonjës së bashku me Belgjikën.
Kalimi i këtij procesi u finalizua në një ceremoninë zyrtare të organizuar në Budapest, ku Minisri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ishte i pranishëm dy ditë më pare me ftesën e homologut të tij, Daniel Petru Funeriu.
Në këtë takim u shënua kalimi i drejtimit të sekretariatit teknik të Procesit të Bolonjës nga BENELUX (Belgjika-Holanda-Luxemburgu) tek Rumania si dhe marrjen e drejtimit të Grupit të Ecurisë së Bolonjës, Bologna Follow Up Group (BFUG) nga Shqipëria dhe Belgjika, që do të drejtojë këtë grup së bashku për gjashtë muajt e ardhshëm.
Takimi zyrtar shënon fillimin e një periudhe të re të drejtimit të këtij procesi të rëndësishëm për të gjithë Zonën e Arsimit të Lartë Europian, prej të cilës priten të finalizohen objektivat e vendosura në Deklaratën Ministeriale për procesin e Bolonjës, të firmosur nga të gjithë Ministrat e Arsimit të gjitha vendeve anëtare të procesit të Bolonjës, gjatë takimit të fundit ministerial, të organizuar në Budapest dhe Vjenë, në Mars 2010.
Në fjalën e tij ministri Tafaj siguroi përfaqësuesit e Bologna Follow Up Group dhe të Sekretariatit Teknik për anagazhimin maksimal të institucionit që ai drejton dhe të institucioneve të tjera shqiptare për përmbushjen me sukses të detyrimeve zyrtare që rrjedhin nga bashkëdrejtimi i BFUG me partnerët belg.
Ky anagazhim, theksoi ministri Tafaj, vjen në momentin kur Shqipëria është duke konkretizuar plotësimin e kritereve dhe detyrimeve zyrtare duke konsoliduar anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.
Në ceremoninë zyrtare ishte i ftuar edhe Ministri Flameng i Arsimit, Rinisë, Shanseve të Barabarta dhe Çështjeve me Brukselin, për Belgjikën, Pascal Smet, i cili edhe si ministër arsimi i vendit që ka marrë prej datës 1 Korrik 2010, Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, shprehu mbështetjen institucionale të vendit të tij drejt çuarjes më tej të procesit të Bolonjës si një rrugë e sigurt e forcimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik mes vendeve europiane.
/e.gj/s.s./