English

Shqiptarët, Mungesë Informacioni Për Sigurimet Shoqërore

- ISSH publikon të dhënat e një anketimi mbi "Njohuritë dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi sigurimet shoqërore"- TIRANE, 7 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Qytetarët shqiptarë kërkojnë më shumë informacion mbi skemën e sigurimeve shoqërore, kontributet që ata duhet të derdhin, apo pensionin që ata duhet të përfitojnë. Ishte ky konkluzioni i rezultateve të një anketimi që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka kryer me Bankën Botërore, të dhënat e të cilit u bënë publike sot gjatë një takimi në Tiranë. Përfaqësuesja e Qëndrës Kombëtare të Trajnimit, Vera Xhogaxhi, në prezantimin e saj, tha se, "gjatë anketimit janë intervistuar 2730 qytetarë nga e gjithë Shqipëria për të parë perceptimin e tyre lidhur me shërbimet që ofrohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH)". Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e individëve nuk kanë informacion përsa i përket Sigurimeve Shoqërore, në drejtim të përfitimeve ashtu dhe kontributeve. Moshat e reja, evidentoi ajo, 18 deri 25 vjeç, nuk kanë informacion përsa i përket sigurimit të pensionit të pleqërisë. Ndërkohë që në zonat rurale vërehet se ka mungesë informacioni në lidhje me përqindjen e derdhjes së kontributeve për të siguruar pension pleqërie, si dhe me moshën e pleqërisë si dhe për vitet e duhura për përfitimin e tij. Drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore shohin mundësinë për të propozuar një reformim të skemës së sigurimeve duke pasur parasysh faktin se pjesa më e madhe e kontribuesve janë mbi 40 vjeç. Studimi nxorri në pah gjithashtu preferencën e publikut në drejtim të përfitimit të sigurimeve me bankë apo me postë. -Sigurimet shoqerore- Institutit i Sigurime Shoqërore bën të ditur se vetëm gjatë vitit 2010, numri i kontribuesve në skemat e sigurimeve shoqërore u rrit me 50 mijë persona. Sipas të të dhënave nga ISSH-ja, shtimi i numrit të personave ka ardhur si rrjedhojë e sigurimit që bëhet nga ana e biznesit privat, ndërkohë që dhe emigrantët që vijnë në Shqipëri, kanë rritur interesin për t'u përfshirë në sigurimin vullnetar. Ekspertët e ISSH-së, nga ana tjetër apelojnë për të vetëpunësuarit në sektorin bujqësor, që të paguajnë shumën e caktuar për vitet që nuk rezultojnë të siguruar, e cila përfshin një pagesë prej 90 mijë lekësh të reja, duke iu siguruar atyre 16 vite vjetërsi pune, që ju shërben atyre në momentin e daljes në pension. -Projekti i BB për informatizimin e arkivës së ISSH-se- Një projekt i Bankës Botërore pritet të mbështesë informatizimin e të dhënave në arkivin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Burime nga ISSH-ja, bëjnë të ditur se projekti do të marrë një përparësi të vecante deri në realizimin e arkivave dixhitale të ISSH, me qëllim ruajtjen dhe përdorimin bashkohorë të të dhënave që disponon ky institut. Projekti parashikon të ofrojë asistencë teknike dhe mbështetje për rehabilitimin e infrastrukturës së arkivave të ISSH, të cilat janë një bazë shumë e rëndësishme për përllogaritjen e sigurimeve shoqërore të cdo individi. Projekti pritet të startojë brenda këtij viti. /a.m//a.ke/
KOMENTE