English

Sonja Biserko: Brenda disa muajve, Kosova në OKB

Beograd, 7 Korrik, NOA - Pas vendimit të GJND-së, do të ndryshohet qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, pasi që pritet valë e re e njohjeve të Kosovës, thotë Sonja Biserko, kryetare e Këshillit të Helsinkit në Beograd.

Më vjen mirë që presidenti Tadiç do të shkojë në Srebrenicë. Mendoj se është gjest serioz fakti që presidenti i vendit, që është përgjegjës për atë që ka ndodhur atje, të shkojë në Srebrenicë dhe në një formë të tregojë dhembjen për viktimat dhe pësimin.

Komiteti i Helsinkit ka botuar librin e një korrespondenti kosovar në Beograd, në të cilin flitet për krimet në Suharekë, ku serbët kishin vrarë fqinjët e tyre shqiptarë. Në libër ka të dhëna se në varrezat në Batajnicë dhe vendet tjera të Serbisë, janë gjetur trupa të pajetë të meshkujve, femrave dhe fëmijëve. Nuk ka pasur seleksionim. Cila është vlera e këtij libri? Ai (korrespondenti) ka shfrytëzuar dokumentacionin dhe gjykimet. Vetëm ka komentuar dokumentet që i ka radhitur në formë kronologjike për t’i vënë në një suazë dhe kështu sigurohet pamja e vërtetë për monstruozitetin e këtij krimi. Ai, personalisht, shumë pak ka intervistuar. Mendoj se kjo është vlera më e madhe e këtij dokumenti, sepse secilit i mundëson të ketë një pamje dhe të vazhdojë me hulumtime. Si e komentoni faktin që nuk është zgjuar vetëdija e njerëzve që kanë bartur kufomat, që kanë hapur varrezat dhe që i kanë gjuajtur viktimat në to? Mendoj se kemi të bëjmë me krim kolektiv, në të cilin kanë marrë pjesë shumë njerëz. Gjatë intervenimit (të NATO-s) flitej: tash duhet përfunduar punën me shqiptarët. Ka pasur një pajtueshmëri në heshtje të asaj që ka ndodhur. Vetëm kur kanë filluar të arrijnë kufomat e të rinjëve nga Serbia, gjërat kanë filluar të lëvizin. Kemi të bëjmë me racizëm ndaj shqiptarëve që ishin demonizuar gjatë gjithë shekullit. Kemi të bëjmë me një vazhdimësi që nuk lejon që shqiptarët në opinionin tonë të paraqiten si njerëz që mendojnë, jetojnë dhe punojnë ashtu si edhe ne. Vazhdimisht krijohet kjo distancë dhe vazhdimisht insistohet në të. Tash 10 vjet, që kur Kosova nuk është nën kontrollin e Serbisë, nuk ka asnjë rrëfim pozitiv për atë se si jetohet në Kosovë, madje nuk ka as për serbët. Mendoj se qytetarët e Serbisë janë të privuar nga informatat e vërteta se si jetohet në Kosovë dhe se janë pengje të një stereotipi për shqiptarët, sipas të cilit, këta njerëz nuk mund të krijojnë shtetin, janë inferiorë, nuk kanë merituar të kenë shtetin dhe aq më pak t’i kenë amerikanët në anën e tyre. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ndryshohet qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, pasi që pritet valë e re e njohjeve. Kosova, brenda disa muajve, mund të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Do të shkohet drejtë konsolidimit të integritetit territorial dhe pavarësimit të plotë të Kosovës. Pas pak ditësh shënohet 11 korriku, përkatësisht 15-vjetori i Srebrenicës. Pritet që në këtë përvjetor të marrin pjesë shumë personalitete të larta të rajonit dhe botës. A mendoni se ekziston vetëdijesim për atë që kishte ndodhur para 15 vjetësh në Srebrenicë? Mjerisht, mendoj se jo. Mendoj se vetëm tash në Evropë po kuptohen përmasat e atij krimi. Çdo dënim i ri në Hagë, që ka të bëjë me Srebrenicën, sjell hollësi të reja dhe monstruozitetin e atij krimi. Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën, me të cilën obligon të gjitha vendet e Evropës të shënojnë 11 korrikun si Ditë të Përkujtimit për masakrën e Srebrenicës. Kemi të bëjmë me një gjest moral të vonuar të vendeve evropiane, që është shumë i rëndësishëm dhe që do të fitojë edhe më shumë në peshë. Në këtë mënyrë, Evropa ngrit zërin edhe për shkak të përgjegjësisë morale që ka pasur, për shkak të reagimit të vonuar. Ishte krim që bëhej para syve të Evropës. Në Serbi, lidhur me këtë krim, në Kuvend është miratuar një deklaratë, por që drejtpërdrejt nuk përmend fjalën gjenocid. Më vjen mirë që presidenti Tadiç do të shkojë në Srebrenicë. Mendoj se është gjest serioz fakti që presidenti i vendit, që është përgjegjës për atë që ka ndodhur atje, të shkojë në Srebrenicë dhe në një formë të tregojë dhembjen për viktimat dhe pësimin. Mjerisht, ekzistojnë situatat historike që dëshmojnë se ballafaqimi me krime të tilla kaq të rënda është shumë i vështirë dhe se për të bërë një gjë të tillë duhet elitë shumë më e pjekur, më përgjegjëse dhe kompetente, që Serbia nuk e ka. Është e qartë se kjo do të shkojë shumë ngadalë, por është e rëndësishme që në këtë çështje vazhdimisht të insistohet.

Radio Evropa e Lirë

KOMENTE