Sport-Botëror/ Gjermanët Optimistë Përpara Gjysëmfinales Së Botërorit
TIRANË, 7 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, tha në prag të ndeshjes gjysmëfinale ndaj Spanjës, se ekipi i tij mund "t'i shkaktojë probleme kampionëve të Evropës", që në sytë e tij është "ekipi më i mirë në botë".
Në vitin 2008, Spanja ishte ekipi më i mirë dhe e meritonte ta fitonte turneun. Dy vjet më pas, Spanja është thuajse e njëjta në konfigurim, ndërkohë që te ne kanë ndryshuar shumë gjëra, në mënyrën tonë të të luajturit dhe në rezultatet tona. Ne kemi avancuar në raport me vitin 2008. Ne nuk e kemi pasur këtë konstante, këtë superioritet në lojë.
Ndërkohë i njohur me deklarimet e kapitenit të tij, Filip Lahm, se ai dëshironte ta mbante shiritin edhe pas Botërorit 2010, tha se ato nuk e shqetësonin aspak.
"Kjo nuk më shqetëson. Dihet se është trajneri ai që do ta marrë vendimin pas Kupës së Botës. Ai mund të japë opinionin e tij, është mendim i tij dhe këtu nuk ka asnjë problem".
Ndërkohë për sfidën e sotme ka folur edhe ish-trajneri i Realit të Madridit, gjermani Bernd Shuster, i cili tha se, "Gjermania ka një avantazh të lehtë në raport me Spanjën në prag të ndeshjes gjysmëfinale".
"Shoh një Gjermani në momentin më të mirë të saj, për atë që ka shfaqur, për rezultatet. Nuk është e njëjtë të fitosh 4-0 me Argjentinën dhe 1-0 me Paraguain. Këtu qëndron diferenca. Megjithatë, Spanja i ka të gjitha mundësitë të fitojë me Gjermaninë, por këtë do ta tregojë më mirë fusha".
Ndërsa Bastian Shvajnshtajger tha se rinovimii që bëri ekipi gjerman, duke sjellë "fytyra të freskëta dhe karaktere të ndryshëm" është instrumenti i suksesit të tyre në Kupën e Botës.
"Në letër Spanja është një ekip më i mirë, por unë mendoj se dhe ne kemi treguar shumë në dy ndeshjet e fundit, kemi mundur ekipe që dukeshin në letër më të mirë se ne. Për mua, Spanja është ekipi më i mirë në botë. Do të jetë e vështirë, ashtu siç ishte kundër Anglisë dhe Argjentinës, por ne kemi besim në këtë ekip pasi ne kemi treguar se çfarë mund të bëjmë nëse të gjithë mbështetemi te njëri-tjetri", tha Shvajnshtajger.
Mikael Balak, ish-kapiteni i Gjermanisë dhe lojtari i ri i Bajer Leverkuzenit, vlerëson se Gjermania i ka të gjitha shanset për të mundur Spanjën në gjysmëfinalen e Botërorit. "Lojtarët e presin këtë gjysmëfinale me shumë besim. Ata kanë mundur dy ekipe të mëdha dhe kanë realizuar ndeshje të mira", deklaroi Balak për gazetën luksemburgase "L'Essentiel". "Ne kemi shanset tona kundër Spanjës, dhe 'Mannschaft' është plot besim", shtoi ai./s.s./