English

Sport-Botëror/ Spanja Kërkon Finalen E Parë Në Historinë E Saj

TIRANË, 7 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/. - Trajneri i Spanjës, Vinsente del Boske, e njeh potencialin historik te gjermanëve gjatë botërorëve dhe kërkon të karikojë lojtarët e tij. "Gjermania ka qenë gjithmonë në finale, e dimë këtë qysh fëmijë. Do të shohim nëse përsëritet e kaluara apo jo. Është e sigurt që Spanja ka qenë jashtë evenimenteve të mëdha deri tani", tha Del Boske. Trajneri spanjoll foli për dy vitet e tij në drejtimin e Spanjës, qysh kur ajo u shpall kampione e Europës kundër gjermanëve në Vjenë. "Dy vjet janë shumë, por ne jemi përpjekur të mos fshijmë asgjë të së kaluarës. Jemi përpjekur të ndjekim të njëjtën linjë me disa ndryshime, pasi lëvizshmëria ishte e keqe, por jo për të prishur të kaluarën", tha Boske në raport me etapën e mëparshme të Luis Aragonesit. "Nuk ka shumë diferenca në raport me vitin 2008. Në Europian ne kemi lënë një përshtypje fantastike, dhe është e vërtetë që qysh atëherë ne nuk kemi bërë një paraqitje të atij niveli". Në lidhje se kush do t'i gjuante penalltitë midis Vijës dhe Ksabi Alonsos, Del Boske tha se përgjegjësia është në dorën e lojtarëve. "Ka të bëjë me vetësigurinë. Të zakonshmit vendosin". Del Boske mbrojti edhe Torresin, në lidhje me formën e dobët të këtij të fundit. "Presioni nuk influencon te Torresi pasi ai është ambientuar të luajë në nivele maksimale. Kasijas është gjithmonë ambicioz dhe luan me të njëjtin entuziazëm si gjithmonë. Është një lider në skuadër". Trajneri spanjoll analizoi edhe rivalin në gjysmëfinale, Gjermaninë. "Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar. Ata kanë një kundërsulm të mirë, zhvillim të mirë loje, mbrojtje të mirë dhe individualitete të mira. Jemi dy ekipe të forta dhe përfaqësojmë ecurinë e futbollit në Europë. Gjermania ka lojtarë me shumë cilësi. Lahm, Shvajnshtajger, Kloze, Ozil bëjnë diferencën. Kanë bërë një punë të mirë qysh në bazë. Kanë rivatilizuar futbollin", tha Del Boske Sulmuesi spanjoll, Fernando Torres, beson se për këtë ekip spanjoll do të flitet për vite me radhë nëse ai mund Gjermaninë. Sulmuesi i Spanjës dhe i Liverpulit ka qenë në formacionin startues në të gjitha ndeshjet e përfaqësueses së tij të në këtë Botëror, përfshirë edhe në humbjen e kampionëve të Europës kundër Zvicrës (0-1). 26-vjeçari tha se "asnjë lojtar nuk e ka vendin të sigurt në formacionin startues. Një lojtar duhet të japë 100 për qind në luftën e tij për një vend në ekip. Nëse unë do të shënoj kundër Gjermanisë dhe do të shkojmë në finale do të jetë e pabesueshme. Unë shpresoj që historia të përsëritet, por mbi të gjitha ekipi të fitojë". "Ne kemi bërë shumë mirë në ndeshjet e fundit, por ekipi gjerman është më i mirë në raport me ekipet që ne jemi ndeshur. Ata e kanë provuar se janë një nga favoritët në këtë turne, pa asnjë dyshim. Unë nuk dëshiroj vetëm për gjysmëfinalen, dua më shumë. Ky është një shans i madh dhe ne jemi të vetëdijshëm se nuk do ta kemi kurrë sërish. Ne kemi të drejtën të ëndërrojmë të luamë një ndeshje të mrekullueshme kundër Gjermanisë. Ne dëshirojmë që njerëzit të flasin për këtë ekip të Spanjë gjatë dy viteve të ardhshme, ose dhe më gjatë", tha Torres. Ndërsa sulmuesi tjetër i Spanjës, David Vija, aktualisht shënuesi më i mirë i Botërorit me pesë gola, pranoi se ai e ka ëndërruar shpesh të shënojë golin që do të lejojë "Furia Roja"-s të fitojë Kupën e Botës. "E kam ëndërruar shpesh këtë, por në këtë moment ëndërroj më shumë golin që do të eliminojë Gjermaninë, pasi ne nuk jemi akoma në finale", tha Vija. "Unë dëshiroj të shënoj për të ndihmuar ekipin tim, dhe do të shënoja sa më shumë që Spanja të jetë kampione e botës, edhe sikur unë të mos e fitoj 'Topin e artë', pasi për mua kjo vjen më pas"./s.s./
KOMENTE