English

Sport: Shkoder - Trajneri Malazez, Radonjic, Optimist Per Ecurine E Vllaznise

SHKODËR, 7 Korrik/ATSH-G. Marku/. - Nga prezantimi i stafit të ri teknik te ekipit, Vllaznia ka kaluar menjëherë në fushën e stervitjes. Trajneri i ri malazez, Mojash Radonjiç, me ndihmësit e tij Elvis Plori dhe trajnerin e portierëve, Avenir Dani, ka zhvilluar përgatitjet e para me skuadrën kuqeblu në stadiumin "Loro Boriçi". Pjesë e ekipit jane futbollistët titullarë që mbyllen sezonin e kaluar si, Belisha, Kraha, Smajli, Shtubina, Nallbani, Leci etj, të cilëve iu është bashkuar edhe portieri malazez Mirosllav Vujadinoviç, i cili ka firmosur një kontratë 1+1 me klubin Vllaznia. Me grupin kuqeblu janë stervitur edhe 4 futbollistë të rinj të ardhur nga Italia, Anglia, Kosova dhe Greqia, të cilët do të qëndrojnë për disa ditë në provë pranë Vllaznisë. Nga skuadra është larguar sulmuesi Bekim Bala, i cili tashmë është pjesë e kampionatit turk, ndërsa nuk janë paraqitur ende kapiteni Grima, Osja, Doçi, Rajeviç etj, të cilët për arsye dëmtimesh apo edhe probleme personale, pritet t'i bashkohen skuadrës në ditët në vazhdim. Ndërkohë, ashtu siç deklaroi një ditë më parë trajneri malazez Mojash Radonjiç, një vend i rëndësishëm i është kushtuar elemetit të ri. Krahas atyre që kanë qënë nën kontratë që prej vitit të kaluar, kontigjentit të skuadrës i është shtuar edhe një grup 18-vjeçarësh nga ekipi kampion U-19 i Akademisë së Vllaznisë, të cilët konsiderohen si ardhmja e kuqebluve. Në një prononcim për ATSH-në, trajneri Radonjiç është shprehur optimist për një Vllazni potente në sezonin e ri futbollistik. "Në këtë stadium kam luajtur në formacionin e Buduçnostit rreth 20 vite më parë, duke i shënuar gol Vllaznisë, ndërsa tani rasti e solli që do ta drejtoj këtë skuadër, që për mua, me kontigjentin cilësor që ka, si dhe me disa përforcime që priten të bëhen në ditët në vazhdim, besoj se do të arrijmë sukses duke qënë ndër ekipet më të mira të futbollit shqiptar", tha ai. /a.ke/
KOMENTE