Tatimet: S'Ka Shtyrje Afati Për Pajisjen E Biznesit Me Kasa Fiskale
TIRANE 7 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Administrata tatimore nuk do të shtyjë më afatin për pajisjen me kasa fiskale për biznesin e vogël, afat ky që përfundoi me 30 qershor dhe në bazë të ligjit "Për procedurat tatimore", subjektet do të gjobiten në rast mos pajisje me kasa fiskale.
Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve, nuk do të ketë më shtyrje afati dhe bizneset e vogla, të cilat nuk janë pajisur me kasa fiskale gjatë kontrolleve rutinë që do të zhvillohen nga inspektorët tatimore do të gjobiten sipas ligjit "Për procedurat tatimore", gjoba këto që nisin nga 100 mijë lekë e deri në mbylljen e biznesit.
Burimet zyrtare nuk bënë të ditur se sa është numri i bizneseve që është pajisur deri tani me kasa fiskale, por brenda periudhes qershor 2010, personat e regjistruar ne biznesin e vogël, të cilët ushtrojne veprimtari në bashkitë e Tiranës, Vlorës, Durrësit, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjes, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës duhet të kishin mbyllur këtë proces. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet regjistruesve elektronikë fiskalë edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull,Orikum, Himarë dhe Ksamil.
Prej tetë ditësh ka hyrë në fuqi faza e re e vendosjes së kasave fiskale për biznesin e vogël në rajone të tjera të vendit.
Ndërkohë administrata tatimore do të nisë shumë shpejt procesin e verifikimeve në terren dhe aksionet për kontrollin ndaj bizneseve për kasat fiskale. Mbi bazën e ligjit "Për procedurat tatimore", inspektorët kanë të drejtë t'i gjobisin bizneset në masën 100 mijë lekë kur kapen herën e parë pa kasë fiskale dhe 500 mijë lekë kur përsëritet shkelja. Në herën e tretë u pezullohet aktiviteti për 6 muaj, e deri në mbylljen e tij.
Sipas nenit 55 të procedurave tatimore, tatimpaguesit që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të fusin dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor.
Në bazë të vendimit të Ministrisë së Financave, brenda periudhes qershor 2010, personat e regjistruar ne biznesin e vogël, të cilët ushtrojne veprimtari në bashkitë e Tiranës, Vlorë, Durrësit, Gjirokastrës, Fierit, Lushjes, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet regjistruesve elektronikë fiskalë edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull,Orikum, Himarë dhe Ksamil< ndërsa brenda periudhës dhjetor 2010, të gjithë tatimpaguesit e tjerë të biznesit të vogël.
Në vend janë mbi 90,000 biznese të vogla dhe vetëm në Bashkinë e Tiranës, në fund të vitit 2009, numëroheshin rreth 20,000 të tilla. Ndërkohë shitësit ambuantë nuk do të përfshihen në procesin e pajisjes me kasa fiskale.
Instalimi i kasave fiskale do të eliminojë evazionin fiskal që ka ekzistuar në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit, si identifikimin me lehtësi i rasteve të shitjeve të mallit pa faturë fiskale dhe eliminimin e praktikës së deklarimit të çmimeve shumë më të ulëta nga ato reale. Për një numër të konsiderueshëm të bizneseve në Shqipëri, veçanërisht për bizneset e vogla, instalimi i kasave fiskale mbart një kosto të konsiderueshme. Instalimi i kasave është diskutuar gjerësisht gjatë dekadës së fundit, që kur një projekt i ngjashëm dështoi në zbatim në vitet '90. /s.s./