Ambasadori I Hollandës: Plani Rregullues I Tiranës Në Sirtarin E Bashkisë
TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/ - Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Henk G.C van den Dool, deklaroi sot, se zhvillimi i qëndrave urbane shqiptare po shoqërohet pa asnjë planifikim për ndërtimin e shtëpive dhe bizneseve, ndërsa Plani Rregullues i kryeqytetit po qëndron në sirtarin e Bashkisë së Tiranës.
I pranishëm në Universitetin jopublik "Polis", ku nisi Projekti MATRA, i mbështetur nga qeveria e Hollandës për ngritjen e kapaciteve në planifikimin e trerritorit dhe programin Master në këtë fushë, Dool theksoi rëndësinë e menaxhimit hapsinor urban në jetën sociale si dhe çështjet mjedisore.
"Tirana është zgjeruar gjatë këtyre viteve, bashkë me të edhe qëndra të tjera urbane si Durrësi, Shkodra apo Fieri.
Por për fat të keq, Plani Rregullues i Tiranës, i krijuar me ndihmën financiare e teknike edhe të Hollandës, qëndron në sirtarin e Bashkisë, siç ndodh edhe me dosjet e tjera, ku situtata nuk ka lidhje me përmbajtjen e tyre", deklaroi ambasadori hollandez, Henk G.C van den Dool.
Duke vlerësuar progresin e qëndrueshëm të viteve të fundit të shoqërisë shqiptare drejt BE-së, ekonominë e saj në rritje, krijimin e një klase të mesme, cilësinë e ligjeve, etj, ambasadori Dool, tha se "ky zhvillim ka pasur edhe efekte jo favorizuese në manaxhimin dhe planifikimin hapsinore urbane, ku shtëpi dhe biznese po ndërtohen pa asnjë lloj planifikimi".
Sipas tij, legjislacioni për menaxhimin dhe planifikimin hapsinor përcakton që blloqet e pallateve duhet të respektojnë hapësirat mes tyre, ndërsa njësitë e pushtetit vendor dhe shoqëria civile duhet të pasjien me mjetet e nevojëshme për të zbatuar legjislacionin.
"Për zbatimin rigoroz të ligjit për "Planifikimin e Territorit" nevojitet edhe ndërgjegjësimi në lidhje me ndërtimet me qëllim reduktimin e risqeve sociale dhe mjedisore", tha Dool.
Me qëllim mbështetjen në forcimin e kapaciteteve shqiptare në planifikimin e territorit, Ambasada e Hollandës po mbështet projektin e CO-PLAN dhe "IHS/Erasmus", që do të realizohet në bashkëpunim me universitetin "Polis", Minisrinë e Punësve Publike dhe shoqatat e pushtetin vendor.
Zbatimi i këtij projekti, përkon në kohë me hyrjen në fuqi të ligjit "Planifikimi i Territorit", ç'ka e bën konkret dhe urgjent aplikimin e modeleve të reja të planifikimit dhe menaxhimit të territorit nga njësitë e qeverisjes vendore dhe autoritetet kombëtare./n.m/