Ambasadori Korean: Intensifikim Të Marrëdhënive Me Shqipërinë Përmes Investitorëve
TIRANE, 8 Korrik/ ATSH- A.Gegvataj/. -Ambasadori i Koresë, Jang Tae Shin, shprehu sot në Tiranë, gjatë takimit me zv/ministrin e Jashtëm, Selim Belortaja, angazhimin e qeverisë së tij për konsolidimin e marrëdhënieve me Shqipërinë përmes pjesëmarrjes së gjërë të investitorëve koreanë si dhe intensifikimin e vizitave dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.
Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se zv/ministri i Jashtëm, Selim Belortaja priti sot Ambasadorin e Koresë, Jang Tae Shin, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Zv/ministri Belortaja falenderoi Ambasadorin e Koresë, Jang Tae-Shin, rezident në Athinë, për angazhimin e Qeverisë koreane në lëvrimin e kredive të buta në shërbim të rrjetit të shpërndarjes dhe elektrifikimit të zonave rurale në Shqipëri si dhe për kontribute të tjera në fushat ekonomike dhe sociale.
Gjatë bashkëbisedimit, Belortaja vlerësoi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve në aspektin politik dhe në atë ekonomik.
Në takim u theksua në mënyrë të veçantë nevoja për shfrytëzim më të plotë të potencialit ekonomik në marrëdhëniet mes dy vendeve. /s.s./