English

Bb, Vlerësim Pozitiv Për Klimën E Investimeve Të Huaja Në Shqipëri

- Kryeministri Berisha shprehet se ky është vlerësim për reformat e qeverisë në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit - TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Klima e investimeve të huaja në Shqipëri ka marrë së fundi edhe një vlerësim pozitiv nga institucionet më të rëndësishme financiare botërore. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri Berisha përshëndeti raportin e Bankës Botërore, të Korporatës Financiare Ndërkombëtare dhe BMF, ku nga një analizë që i bëhet klimës së investimeve të huaja në 87 vende të botës, Shqipëria rezulton me 95 për qind, duke tejkaluar me 5 për qind vendet e OECD-së dhe me 2 për qind vendet e rajonit. Ndërsa për të filluar një biznes, sipas Kryeministrit, "Shqipëria arrin në 98 pikë, kundrejt 71 pikë që është mesatarja e vendeve të OECD-së dhe e vendeve të rajonit". "Pas vlerësimit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me çmimin e dytë në botë për transparencën e prokurimeve 100 për qind elektronike, ky vlerësim përbën një ndër arritjet më madhore në vlerësimin e reformave tona në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit", tha Berisha. Sipas tij, "ky është mesazhi më shkëlqyer dhe më inkurajues që Shqipëria i dërgon komunitetit ndërkombëtar të biznesit". "Duhet që përpjekjet të shtohen në të gjithë sektorët dhe Shqipëria të kapë 98 për qind në çdo fushë të lidhur me biznesin", tha Berisha./s.s./
KOMENTE