English

Berisha-Blair: Më shumë ndihmë për fëmijët shqiptarë

Tiranë, 8 korrik, NOA – Presidentja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha, priti sot në një takim të ngrohtë dhe miqësor, bashkëshorten e ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Cherie Blair.

Ajo ka uruar zonjës Blair mirëseardhjen dhe e falënderoi për mbështetjen dhe përkrahjen që ajo dhe fondacioni i saj i ka dhënë shumë nismave të ndërmarra nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” në ndihmë të fëmijëve në nevojë dhe të përmirësimit në jetën e tyre ekonomike dhe sociale.

Ndërkaq, mësohet se Blair vizitoi qendrën “Fluturo për Jetën” dhe mjediset ku trajtohen fëmijët e spektrit autik, si dhe u njoh më nga afër me punën e stafit.

Në fund, Berisha e nderoi zonjën Blair me simbolin e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, për vlerësimin si një nga promotorët kryesorë të hapjes së qendrës për trajtimin e fëmijëve të spektrit autik dhe për mbështetjen e saj në iniciativa të rëndësishme të fondacionit.

Nga ana e saj, Blair shprehu vlerësimin e saj për punën shumë të mirë të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” dhe të shoqërisë civile, në drejtim të ndihmës për fëmijët, gratë e vajzat në nevojë, duke ritheksuar se mbështetja e saj dhe e Fondacionit që ajo drejton do të jetë e vazhdueshme.

n.e/NOA

KOMENTE