Berisha: Konsolidimi I Planifikimit Dhe Menaxhimit Territorial, Përcaktues Në Zhvillimin E Vendit Në Tërësi
TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/.-Kryeministri Sali Berisha cilësoi sot se "konsolidimi i planifikimit dhe menaxhimit territorial ka rëndësi për impaktin në jetën e njeriut, zhvillimin e qytetit dhe është përcaktues në zhvillimin e vendit në tërësi".
Kryeministri Berisha vizitoi sot Universitetin jopublik "Polis", i cili publikoi Projektin 'MATRA' për ngritjen e kapaciteteve në planifikimin e territorit dhe programin Master për çështjet e planifikimit të territorit dhe dizajnit arkitektonik e hapësinor.
Duke i vlerësuar risitë e këtij universiteti, Kryeministri Berisha tha se menaxhimi dhe planifikimi hapësinor urban përbën një përparësi për qeverinë.
Ai vuri në dukje se nga një analizë e shpejtë e popullsisë në 20 vitet e fundit, "kemi një nga zhvillimet e saj më historike, atë të ekspansionit të qyteteve, që bëri të mundur shndërrimin e popullatës shqiptare në një popullatë qytetare".
Por, vuri në dukje Kryeministri Berisha, "si në të gjitha rastet analoge të historisë së zhvillimit, ekspansioni ka njohur ritme shumë më të shpejta, krahasuar me mundësitë e planifikimeve dhe menaxhimit të hapësirave urbane".
Duke përgëzuar studentët e këtij universiteti, arkitektët e ardhshëm, Kryeministri u ndal edhe në reformat intensive që po ndërmerren në arsimin e lartë.
Ai garantoi se se "do punohet me përkushtim në drejtim të zvogëlimit të diferencave të trajtimit mes universiteteve publike dhe private".
Kryeministri tha se në vijim të zbatimit të reformave ambicioze në arsimin e lartë, qeveria ka përcaktuar TOEFL-in si kusht për master.
"Nuk ka reformë më të rëndësishme dhe investim më jetik për ndërtimin e të ardhmes për kombin se arsimi", vuri në dukje z.Berisha, duke garantuar angazhimin e qeverisë në zgjerimin dhe rritjen e cilësisë në arsim.
Për këtë qëllim, Kreu i Ekzekutivit deklaroi se këtë javë do të finalizohet modeli i ri i financimit të arsimit të lartë, për të cilin kanë punuar një grup i gjërë drejtuesish dhe specialistësh, me qëllim dyfishimin e burimeve financiare për arsimin./s.s./