Tiranë, 8 korrik, NOA – Pagat e buxhetorëve do të shënojnë një rritje deri në nivelin prej 10 përqind sipas vendimit më të fundit të qeverisë, por nuk do të kenë asnjë të tillë pagat e larta dhe të personave me poste politike që paguhen mirë.
Një fakt të tillë, kryeministri Sali Berisha sapo e ka komunikuar në mbledhjen e qeverisë e cila po zhvillon punimet e saj në këto momente.
Më tej, ai lidhur me këtë argument ka pohuar se nuk ka asnjë arsye që qeveria të heqë dorë nga qëndrimi dhe premtimi i bërë ndaj punonjësve të saj buxhetorë
“Ne i jemi përmbajtur dhe do t’i përmbahemi kësaj politike me bindjen se ajo është rruga e duhur për mirëqenien e qytetarëve, duke e konsideruar rritjen e pagave dhe pensioneve si shans për rritjen e fuqisë blerëse”, deklaroi ai.
Konkretisht, kreu i qeverisë bëri me dijeni se do të rriten rrogat e mjekëve, ato të infermierëve me 9 përqind, të mësuesve me 6 përqind dhe me 4-5.2 përqind punonjësit e Forcave të Armatosura, nëpunësit e Prefekturave dhe ato të varura nga ministritë, ata të SHISH, nëpunësit e Shërbimit Pyjor, Doganave, të Tatimeve, Policisë së Shtetit.
“Dhe nuk do të rritet asnjë nga rrogat e larta të buxhetorëve, por edhe asnjë nga ato të posteve të rëndësishme politike të cilat vlerësohen si rroga të larta”, vuri në dukje ndër të tjera kryeministri.
Në fund, ai ka shtuar se të gjitha rrogat e ulëta do të kenë një rritje prej 10 përqind të nivelit të tyre.
n.e/NOA