English

Bettencourt - Elizeu: Bien Akuzat, Rivendoset E Vërteta

PARIS, 8 korrik /ATSH-ANSA/ - Për skandalin lidhur me dyshimin se miliarderja Liliane Bettencourt kishte dhuruar 150 mijë euro për fushatën presidenciale të presidentit francez Nikolas Sarkozi "janë rrëzuar akuzat dhe e vërteta është rivendosur", deklaroi për agjencinë e lajmeve "France Presse", sekretari i përgjithshëm i Elizeut (pallati presidencial francez), Claude Gueant. Sekretari i referohet deklaratave të fundit të ish-llogaritares së Bettencourt, Claire Thibout, e cila pas deklaratave të forta që dha dje, deklaroi sot se Sarkozi nuk kishte marrë kurë para. Në veçanti, në procesverbalin e marrjes në pyetje gjatë mbrëmjes së djeshme, publikuar më pas nga e përditshmja Le Figaro në faqen e saj në internet, lexohet se Thibout ka konfirmuar tashmë se "nuk ka deklaruar kurrë (faqes online të Mediapart) se zarfet me para i jepeshin Sarkozisë". Gueant theksoi se deklaratat më të fundit të ish-llogaritares përgënjeshtrojnë se Sarkozi dhe ministri Eric Woerth, i cili është edhe arkëtari i partisë së shumicës, kanë marrë para në mënyrë të jashtëligjshme për fushatën presidenciale të vitit 2007. /e.v/
KOMENTE