Tiranë, 8 korrik, NOA – Anëtari i Kryesisë së PS-së, dhe një prej politikanëve të mendimit ndryshe në Partinë Socialiste, Ben Blushi, ka deklaruar sot se nëse Partia Socialiste bojkoton zgjedhjet lokale të 2011-ës, atëherë kjo do të thotë se ekziston brenda tyre frika e humbjes.
Blushi u shpreh në një deklaratë edhe kundër bojkotimit të kuvendit, i menduar tashmë nga opozita si një kundërshtim ndaj politikave të mazhorancës, duke bojkotuar kështu votimin në seanca plenare të reformave të rëndësishme.
Por, Ben Blushi, një ditë nga mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste, deklaroi se nga lista e kandidatëve për kryetarë të PS-së në rrethe janë hequr plot 100 emra.
Blushi theksoi se kandidatët e hequr nga lista duhet të kërkojnë rikthimin e tyre, pasi deklaroi se gjatë heqjes së tyre në mënyrë të padrejtë pati reagime, pasi ky veprim duhet të bëhet mbi një kriter të fortë besnikërie në parti.
Ben Blushi tha ndër të tjera se “shumë anëtarët kryesie reaguan ndaj këtij vendimi të padrejtë ku u përjashtuan gjysma e kandidatëve të PS-së të propozuar nga baza për vendet e 36 kryetarëve të PS-së në rrethe”.
Sipas Blushit gjysma e kandidatëve u përjashtuan me vendim të kryesisë së PS-së, ndaj ai i bëri thirrje të përjashtuarëve të kërkojnë të rikthehen, me synimin për të arritur një proces demokratik të zgjedhjes së tyre.
mit/NOA