Blushi:Kryesia E Ps-Së Përjashtoi Arbitratisht Rreth 100 Kandidatë Nga Zgjedhjet Për Kryetarë Në Rrethe
TIRANË, 8 Korrik/ATSH/.- Deputeti socialist, Ben Blushi e konsideroi sot "arbitrar" vendimin e marrë dje nga kryesia e Partisë Socialiste për të përjashtuar më shumë se gjysmën e kandidatëve socialistë (rreth 100), të propozuar nga baza e partisë, për zgjedhjet për kryetarë të degëve në rrethe të PS-së.
"Ky ishte një vendim i padrejtë dhe arbitrar i kryesisë, i cili i vë këto zgjedhje në rrezik. Dua t'i bëj sot thirrje të gjithë kandidatëve në të gjitha anët e Shqipërisë që të reagojnë, t'i kërkojnë PS-së t'i përfshijë në listat e tyre të votimit dhe t'u japë mundësi të zgjidhen, apo të humbin, që ky të bëhet një proces demokratik", tha Blushi.
Sipas tij, "nëse zgjedhjet e së dielës zhvillohen siç u vendos dje në kryesi, pra duke përjashtuar nga listat një numur të madh anëtarësh dhe personalitetesh të PS-së për t'u votuar, kjo parti nuk ka stabilitet dhe kohezioni i saj i brendshëm riskohet fort në prag të zgjedhjeve lokale. Nuk mund të ketë zgjedhje kur kandidatët përzgjidhen paraprakisht", theksoi deputeti socialist, Blushi, që njihet dhe si përfaqësues i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe brenda PS-së dhe që është në oponencë me linjën e kryetarit aktual, Edi Rama.
Në komentet e tij mbi zhvillimet dhe situatën në PS-së, Blushi thotë se e vetmja mënyrë që kjo parti të kthehet në pushtet është ndryshimi i saj.
"Nëse sot shqiptarët kanë një instrument jetik dhe të vetëm për të ndryshuar Shqipërinë kjo mbetet PS. Por, nëse PS përdoret si një instrument personal, si një shkop apo lopatë bashkie, sigurisht që Shqipëria nuk ka shpresë", tha Blushi.
Lidhur me aksionin e ri politik të PS-së për rivendosjen e marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin, deputeti Blushi shprehet kundër bojkotit, duke e quajtur "një instrument i pavlefshëm dhe një armë e pafryshme, i cili nuk e forcoi aksionin e socialistëve, por përkundrazi e përçau dhe e dobësoi atë, duke prishur dhe imazhin e saj tek ndërkombëtarët"./n.m/