Madrid, 8 korrik, NOA – E para guida e Shqipërisë turistike në spanjisht është prezantuar ditët e fundit në një nga libraritë kryesore të Madridit, Casa del Libro.
Ceremonia e prezantimit u organizua nga shtëpia botuese Alhenia Media në bashkëpunim me rrjetin e librarive Casa del Libro dhe nën patronazhin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Madrid.
Ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Kastriot Robo duke përshëndetur shtëpinë botuese Alhena Media për botimin e kësaj Guide, tha se “pas marrjes së Çmimit të Princit të Asturias për letërsinë nga shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, vitin e kaluar, botimi i këtij libri dhe promovimi i tij është një hap mjaft i rëndësishëm për njohjen e vendit tim, të historisë, kulturës, trashëgimisë, arteve, ekonomisë, në mbarë opinionin publik spanjoll dhe më gjerë”.
Sipas ambasadorit Robo me këtë botim plotësohet një mungesë e deritanishme për informimin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm në Evropë e Mesdhe, por edhe më gjerë.
Robo i ka njohur të pranishmit në këtë ceremoni se “Shqipëria është një vend i hapur, ku numri i turistëve rritet nga viti në vit dhe zhvillimi i turizmit është një prioritet i Qeverisë shqiptare, e cila ka miratuar Strategjinë e Zhvillimit të Turizmit për vitet 2007-2013, një strategji që përbën një kombinim të zhvillimit turistik duke promovuar vlerat kulturore, si dhe duke ruajtur vlerat natyrore dhe mbrojtjen e mjedisit”.
Ambasadori Kastriot Robo ndër të tjera i ftoi të pranishmit të vizitonin Shqipërinë, si një destinacion i këndshëm dhe një vend që tashmë është drejt rrugës për tu integruar në BE.
Ndërsa drejtori editorial i shtëpisë botuese Alhena Media, Francisco Bargiela, theksoi se “kjo kompani ka korrur sukses shumë të madh me guidat turistike të vendeve të ndryshme dhe shprehu sigurinë e tij që pas dy vjetësh, ky libër do të ketë nevojë për ribotim, duke theksuar ndryshimet e mëdha që po përjeton Shqipëria”.
mit/NOA