English

Domosdoshmëria e ndryshimit

Projektligji i Punës domosdoja e ndryshimit dhe nevoja e miratimit. I tillë çfarë është ofruar deri më tani, Projektligji i Punës në shumë segmente të tij lë shumë për të dëshiruar dhe për një pjesë të mirë të shoqërisë është vështirë i pranueshëm

Valon Murati

1. Pas ecejakeve disavjeçare, Projektligji i Punës erdhi sërish në Kuvendin e Kosovës. Kësaj radhe shpresat dhe gjasat janë se ai do të miratohet. Dhe kjo do të ishte risia në këtë çështje. Por nuk është e rëndësishme vetëm të kemi ligj të punës, e rëndësishme është që të kemi ligj të mirë të punës, ligj i cili do ta rregullonte tregun e punës në Kosovë, do t’i trajtonte më drejtë të drejtat e punëtorëve, do të krijonte kushte për zbutjen e informalitetit në ekonominë e Kosovës, si dhe do t’i rregullonte në mënyrë sa më të drejtë marrëdhëniet e punës në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

I tillë çfarë është ofruar deri më tani, Projektligji i Punës në shumë segmente të tij lë shumë për të dëshiruar dhe për një pjesë të mirë të shoqërisë është vështirë i pranueshëm. Andaj këto kohët e fundit kemi pasur edhe shumë debate rreth përmbajtjes së këtij projektligji dhe nevojës për ndryshimin e tij në Kuvend para se ai të miratohet.

Më të zëshmit në këtë drejtim deri më tani kanë qenë përfaqësuesit e BSPK-së dhe të një pjese të shoqërisë civile që e kanë kërkuar ndryshimin e këtij projektligji në favorin e më shumë të drejtave për punëtorët. Qeveria publikisht e pranoi se ky projektligj është hartuar më shumë duke i pasur parasysh interesat e punëdhënësve dhe në funksion të krijimit të një ambienti më të favorshëm për investime të huaja në Kosovë. Realisht Kosova është në një pozitë komplekse ekonomike.

Papunësia është e madhe (sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale papunësia për vitin e kaluar ishte 43%), rritja ekonomike e ngadalshme (sipas FMN-së vitin e kaluar rritja ekonomike ishte në 3.8-4.0% ndërsa për vitin 2010 parashihet rritje prej 4.3%) dhe bruto prodhimi vendor për kokë banori vitin e kaluar ishte 1,730 Euro ndërsa për këtë vit parashihet të jetë 1,800 Euro.

Ekonomia është kryesisht e bazuar në tregti, në shërbime (kryesisht hoteliere) dhe në të hyrat nga mërgata (remitancat). Prodhimi është simbolik, me një industri ushqimore që është në fillesat e saj dhe me një bujqësi e blegtori të papërkrahur sa duhet nga shteti.

Kjo situatë do të duhej që shtetin vërtet ta bënte më të kujdesshëm dhe më aktiv në politikat ekonomike dhe fiskale që do ndihmonin në krijimin e kushteve për rritjen e investimeve private, por edhe në përkrahjen e atyre ekzistueseve.

Por kjo nuk nënkupton se kjo përkrahje duhet të bëhet në dëm të punëtorëve, të cilët edhe ashtu, sidomos ata në sektorin privat që janë mbi 70% të tërë të punësuarve në Kosovë, për shkak të informalitetit në tregun e punës dhe të mosorganizimit sindikal, janë në pozitë të pafavorshme.

Shteti ynë, duke krijuar një balancë në mes të të drejtave dhe obligimeve të punëtorëve dhe atyre të punëdhënësve në ligjin e punës, mund të krijojë ambient të favorshëm të biznesit përmes politikave ekonomike, fiskale, sundimit të ligjit, ndalimit të korrupsionit etj. Ndërmarrësit në Kosovë të cilët operojnë në fushën e prodhimit dhe ata të cilët po orientohen në atë fushë, në vazhdimësi ankohen për ngarkesat e mëdha fiskale të cilat janë të obliguar t’ia paguajnë shtetit, ndonëse retorika qeveritare përsërit frazën e përkrahjes së prodhimit vendor në vazhdimësi.

Në këso rastesh nuk mund të flitet për përkrahje të prodhimit vendor, kur prodhuesit tanë ngarkohen me tarifa aq të mëdha doganore e tatimore për prodhimin që në fillim të investimeve të tyre, e të mos flasim se të njëjtit biznesmenë për ta filluar punën dhe për ta mbajtur gjallë atë duhet të marrin edhe kredi me kamatat më të larta në rajon dhe Evropë. Tash mund të paramendohet se sa konkurrentë dalin prodhuesit në tregun tonë, e lëre më në atë të jashtmin.

Tabloja e mësipërme e raporteve në mes të prodhuesve dhe qeverisë ilustron absurditetin e politikave qeveritare që biznesi të favorizohet në dëm të punëtorëve përmes ligjit të punës, përderisa biznesi dëmtohet shumë më shumë me politikat e papërshtatshme ekonomike e fiskale.

E mos të flasim këtu se sa e dëmton biznesin tonë mungesa e zbatimit të ligjit, korrupsioni, si dhe zvarritjet në pagesa për obligimet që institucionet tona kanë ndaj biznesit. Po sikur ta shohim anën tjetër të medaljes?

Nëse ky ligj nuk e merr njëfarë konsensusi të sindikatave dhe punëtorëve të Kosovës, dhe kur një ditë sindikatat të forcohen dhe të organizohen më mirë se sot, kur ato një ditë të futen edhe në sektorin privat, gjë e cila domosdo do të ndodhë, këtë ambient të “favorshëm” për biznesin dhe “paqen sociale” mund ta prishin pakënaqësitë e punëtorëve dhe organizimi i tyre për më shumë të drejta.

2. T’i kthehemi edhe njëherë projektligjit të punës. Ky projektligj, si asnjëherë më parë i ka mobilizuar edhe sindikatat e Kosovës, me në krye BSPK-në. Dhe kjo është një shenjë e mirë e gjallërimit të aktivitetit sindikal në Kosovë.

Ky projektligj ka elemente të fuqishme anti-diskriminuese dhe rregullon shumë të drejta të domosdoshme të punëtorëve në kuadër të marrëdhënieve të punës me punëdhënësit. Në anën tjetër, e drejta e punës është një e drejtë e rëndësishme e njeriut, e njohur edhe me Kushtetutën e Kosovës, ndonëse me këtë Kushtetutë +dokumentet kryesore ndërkombëtare që i mbrojnë të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore nuk janë pjesë e sistemit tonë juridik. Sidoqoftë, projektligji ka edhe mjaft mangësi.

Një pjesë janë të lidhura me situatën ekonomike dhe politike në të cilën është Kosova, e tjerat janë pjesë e politikave qeveritare dhe ndikim i lobeve të ndryshme të interesit. Sidoqoftë, janë disa pika ku deri më tani vërehet se ka një konsensus në një pjesë të shoqërisë se ky projektligj duhet të ndryshojë dhe ndryshimi i të cilave nuk do ta prekte aq shumë edhe buxhetin e qeverisë, e as atë të kompanive private.

Disa nga pjesët më kontestuese janë: puna e fëmijëve prej 12-15 vjeç (neni 7.4), kontrata verbale (neni 9.1), puna provuese (neni 14), puna më e gjatë se orari i punës (neni 22), pushimi i lehonisë (neni 48), pushimi mjekësor (neni 58), ndërprerja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit (neni 69) etj.

3. Më poshtë do të trajtohen shkurtimisht problemet e cekura më lart, duke dhënë edhe ndonjë rrugëzgjidhje për to. Parashikimi me nenin 9 se kontrata e punës mund të lidhet edhe në mënyrë verbale përveç asaj me shkrim, në kontekstin e Kosovës mund të lërë shumë hapësira për keqpërdorime, andaj përcaktimi i saktë se kontrata e punës duhet të lidhet vetëm me shkrim do të duhej të ishte rregullimi i vetëm brenda këtij neni.

Edhe përcaktimi me nenin 7.4 “se të miturit në mes të moshës 12-15 vjeç, mund të kryejnë punë të lehta maksimumi deri në gjashtë orë në javë, nëse nuk dëmtohet siguria e tyre, shëndeti, morali, shkollimi dhe zhvillimi i tyre, me kusht të dhënies së pëlqimit me shkrim nga prindërit dhe kujdestarët ligjorë”, ndonëse sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është bërë për t’i rregulluar disa punë të lehta që mund t’i kryejnë fëmijët, në kontekstin e Kosovës mund të jetë një deriçkë për vazhdimin e shfrytëzimit të të miturve.

Situata e rëndë sociale edhe mund t’i shtyjë prindërit ta japin një pajtim formal për punën që e bëjnë fëmijët e tyre, ndonëse kjo mund ta dëmtojë jo vetëm shëndetin e fëmijës e vijueshmërinë e tij në shkollë etj., por edhe mund të krijojë hapësirë për shfrytëzimin e fëmijëve përtej këtyre 6 orëve të lejuara në ligj. Andaj, ky paragraf i nenit 7 do të duhej krejtësisht të hiqej, në mënyrë që t’i pritej rruga që duke shfrytëzuar disa rregullime ligjore të shfrytëzohen fëmijët për çështje përfitimi.

Duhet theksuar se me Ligjin Themelor të Punës (Rregullorja nr.2000/27 e UNMIK-ut) përcaktohet qartë se personat nën moshën 15 vjeçare nuk mund të punësohen. Për punën provuese sipas nenit 14 përcaktohen gjashtë muaj, gjë që me të drejtë ka hasur në reagim si nga sindikatat, ashtu edhe nga shoqëria civile.

Afatizimi i punës provuese në 3 muaj, ashtu siç edhe është zbatuar deri më tani (e kështu është e rregulluar edhe me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë në nenin 142) do të ishte zgjidhja më e mirë. Ndonëse me nenin 19.2 përcaktohet se orari i plotë i punës zgjat 40 orë në javë, me nenin 22 ky rregullim është relativizuar disi, duke krijuar kushte për punëdhënësit që brenda jave në raste të jashtëzakonshme dhe me rritjen e vëllimit të punës, të kërkojë që punëtori të punojë më gjatë se orari i punës, më së shumti deri në 8 orë në javë.

Realisht kjo i bie një ditë e plotë pune në javë. Ky rregullim do të krijojë probleme për vetë Inspektoratin e Punës që ta zbatojë ligjin kur ka të bëjë me orarin e punës, sepse realisht ky “lëshim” është bërë me qëllim që të akomodohen interesat e bizneseve, sidomos të bankave dhe supermarketeve që kanë kërkuar që orari i punës të jetë ne mes të 45 e 48 orë në javë. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që të përcaktohet se në çfarë rastesh ka pasur të drejtë punëdhënësi të kërkojë punë jashtë orarit dhe kur nuk ka pasur të drejtë.

Zgjidhja për këtë problem do të ishte konfirmimi se orari i punës javore është 40 orë, një standard ky më i aplikuar në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë dhe heqja e tërësishme e nenit 22.

Nëse një nen i këtij projektligji ka shkaktuar zemërim të njerëzve dhe mobilizim për ta ndryshuar atë, ky ka qenë neni 48 që ka të bëjë me pushimin e lehonisë. Sipas këtij neni të projektligjit të punës, ky pushim është 12 javë (standardi minimal i Organizatës Ndërkombëtare të Punës është 14 javë!) me 70 % pagesë, me mundësi që të merren edhe katër javë pushim nëse vërtetohet se gjendja shëndetësore e lehonës e kërkon këtë, si dhe 12 javë të tjera pa pagesë.

Ky është një prej rregullimeve më të këqija në rajon, në kohën kur Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia e Sllovenia i japin 365 ditë për pushimin e lehonisë. Arsyetimet buxhetore nuk janë të arsyeshme, sepse del se me këtë rregullim buxhetin e Kosovës ky nen do ta rëndojë për 300.000 Euro.

Këtu më shumë duket të kenë pasur ndikim bizneset, të cilat kanë lobuar se interesat e tyre financiare dëmtohen nëse do të caktohet një pushim më i gjatë për lehonat. Ata kanë arsyetuar se në këtë rast mund të ketë zvogëlim të punësimit të femrave të reja në sektorin privat.

Në të vërtetë, ky ligj, siç është vërejtur drejt në draft-analizën e Institutit GAP rreth projektligjit të punës, do të binte ndesh me Ligjin e Kuvendit të Kosovës për Nxitjen dhe Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri si dhe me “Dhjetë Hapat e të Ushqyerit të Suksesshëm me Gji” të promovuar nga UNICEF-i.

Madje ky ligj është në kundërshtim edhe me Deklaratën e Innocentit të UNICEF-it, në të cilën bazohet ligji i Kosovës për të ushqyerit me gji, e cila rekomandon të ushqyerit me gji në 4-6 muajt e parë të jetës së foshnjës. Në anën tjetër, në Kosovë çerdhet e fëmijëve pranojnë fëmijë vetëm mbi moshën njëvjeçare, duke e vështirësuar edhe më situatën.

Në këtë situatë, gruaja në Kosovë, sidomos gruaja e re, profesioniste, ambicioze dhe e shkolluar, do të hezitojë ose të bëhet nënë, ose të punësohet. Në të dy situatat ajo dhe shoqëria në Kosovë është e dëmtuar. Rreziku për rritjen e papunësisë së gruas është shumë më i madh me këtë rregullim ligjor, sesa në rast se rregullohet më drejt kjo çështje. Shumë kritikë të këtij rregullimi kanë vënë në pah edhe mundësinë që ky ligj të stimulojë më tepër tendencën në rritje të rënies së natalitetit në Kosovë, ndonëse shkalla e natalitetit në Kosovë ende është më e larta në Evropë.

Në këtë situatë zgjidhja e kompromisit do të duhej të gjendej duke paguar lehonat me 6 muaj pushim me pagesë, si dhe me 3 muaj shtesë me punë me gjysmë orari. Kështu do të plotësoheshin kushtet minimale ku do të mbroheshin të drejtat e nënave, si dhe do të sigurohej një mirëqenie minimale për foshnjat e porsalindura.

Me nenin 58 përcaktohet se i punësuari mund të marrë 10 ditë pune pushim mjekësor. Edhe ky nen është kritikuar mjaft shumë. Një zgjidhje kompromisi në këtë situatë, kur mungojnë edhe sigurimet shëndetësore, që do të zbusnin situatën jo vetëm në këtë lëmë, por edhe në atë të pushimit të lindjes e në situata të tjera, do të ishte që ky nen të përcaktonte 15 ditë të punës brenda vitit si ditë të paguara të pushimit mjekësor.

Krejt në fund, do ta komentoj edhe një nen, nenin 69, që përcakton se si mund të ndërpritet kontrata e punës nga ana e punëdhënësit. Ky nen, përveçqë mbetet problematik për nga përmbajtja, ka probleme të mëdha edhe në gjuhën shqipe, që e cenon edhe përmbajtjen e tij.

Gjuha shqipe është një problem tjetër i këtij projektligji dhe shumë ligjeve që tashmë janë miratuar në Kuvend. Sa për ilustrim po e marr paragrafin 1.5 të këtij neni, që thotë se punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit pa periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes, atëherë kur i punësuari është fajtor për përsëritjen e një keqsjelljeje më pak serioze ose të shkeljes së detyrimeve.

Se çka ka dashur të thotë qeveria me “keqsjellje më pak serioze” mund të kuptohet vetëm pasi të lexohet varianti serbisht i këtij neni (zaposleni je kriv za ponavljanje lošeg neozbiljnog ponašanja ili kršenja obaveza) sepse edhe varianti anglisht është i palogjikshëm (the employee is guilty of repeating a less serious misconduct or breach of obligations).

Ky nen, si dhe nenet e tjera, ka probleme të tilla gjuhësore, kur herë gjuha serbe, e herë gjuha angleze, por jo edhe gjuha shqipe, janë zgjidhjet e logjikshme. Kur të flasim për çështjen e ndërprerjes së kontratës së punës nga ana e punëdhënësit kur punëmarrësi nuk i kryen obligimet e tij ose sillet keq, e që është një nen shumë i rëndësishëm, çuditërisht shumë më i qartë, është ligji aktual (që i ka vetëm 28 nene).

Sipas propozuesve të projektligjit, shumë çështje nga kjo fushë janë menduar të zgjidhen me Kontratën Kolektive (ku p.sh. do të shpjegohej se çka është “keqsjellja” apo përmbushja e pakënaqshme e detyrave të punës).

Një problem i theksuar në shoqërinë tonë është zbatimi i ligjit. Një shtet jo vetëm që duhet të ketë ligje të mira, por ai duhet edhe t’i zbatojë ato. Ekziston frika se ky ligj kur të miratohet do të ketë probleme në zbatimin e tij. Sidoqoftë, duke qenë se kjo është një temë tjetër, kërkon edhe trajtim tjetër.

(*) Dërguar nga autori, anëtar i KP të Lëvizjes për Bashkim

KOMENTE