Gjykata E Lartë/Xhafaj: Procesi, Një Atentat Ndaj Sistemit Të Drejtësisë
TIRANË, 7 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, e konsideroi sot "një atentat politik ndaj sistemit të drejtësisë" procesin e votimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të propozuar nga Presidenti i Republikës, përkatësisht Sokol Çomo dhe Medi Bici.
Para votimit të dy dekreteve, në emër të grupit socialist, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, e konsideroi procesin "një ekzekutim politik të paralajmëruar me votën e kartonave të maxhorancës".
"E konsiderojmë të papranueshëm qëndrimin e qeverisë ndaj këtij procesi. Grupi parlamentar i PS-së e quan procesin të montuar politikisht, që nëpërkëmb propozimet e Presidentit dhe nëpërkëmb integritetin e trupës së gjyqtarëve. Besnikëria ndaj shumicës po bëhet kriteri kryesor për të bërë karrierë në drejtësi", u shpreh Xhafaj.
Menjëherë pas fjalëve të tij, deputetët e opozitës janë ngritur dhe kanë braktisur seancën parlamentare, duke vazhduar të ruajnë marrëdhënien e kushtëzuar me Kuvendin dhe duke mos pranuar të votojnë asnjë ligj pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit ./s.s./