English

Gjykata E Strasburgut Bllokon Ekstradimin Në Shba Të Abu Hamza

STRASBURG, 8 korrik /ATSH-ANSA/ - Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg bllokoi sot ekstradimin nga Britania e Madhe drejt Shteteve të Bashkuara të imamit Abu Hamza dhe tre persona të tjerë të dyshuar si terroristë, pas apelit të paraqitur nga Abu Hamza, Babar Ahmad, Haroon Hashid Aswat dhe Seyla Talha Ahsan. Gjykatësit e Strasburgut vendosën të ekzaminonin një pjesë të apelit që u paraqit nga katër të interesuarit, të cilët aktualisht ndodhen në burgjet angleze. Gjykata po përpiqet të sqarojë nëse ekstradimi në Shtetet e Bashkuara për katër personat në fjalë do të shkelte nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon torturat ose keqtrajtimet për këdo. Sipas gjykatësve evropianë, regjimi special i burgosjes në siguri të lartë dhe fakti se do të dënohen me burgim të përjetshëm (nëse do të ekstradohen) mund të interpretohet si një shkelje e të drejtës për mos t'u keqtrajtuar. Për të sqaruar këtë pikë Gjykata i ka drejtuar tre pyetje qeverisë dhe autoriteteve përkatëse të cilat kanë kohë për t'u përgjigjur deri më 2 shtator. Me këto tre pyetje Gjykata po përpiqet të kuptojë nëse katër të akuzuarit do të gëzojnë ose jo të drejtën për t'u transferuar në burgje me nivele më të ulëta sigurie, pra në burgje me kushte më pak të ashpra. Gjykatësit kërkojnë të dinë edhe nëse katër të akuzuarit, me kalimin e kohës, do të kenë mundësinë për një ulje të mundshme të dënimit. /e.v/
KOMENTE