Kakavije: Nis Fluksi I Emigrantëve Që Vijnë Në Atdhe Për Pushimet Verore
KAKAVIJE, 8 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/- Rreth 3200 emigrantë shqiptarë, që jetojnë në Greqi, kanë ardhur në atdhe gjatë 12 orëve të fundit të ditës së sotme përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijes, në prag të sezonit të pushimeve verore.
Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, bëri të ditur për ATSH-në, se fluksi i emigrantëve pritet të rritet akoma në ditën në ardhshme.
"Strukturat e policisë lokale do të zbatojne një plan masash për të përballuar me sukses fluksin e emigrantëve shqiptarë që pritet deri në fundjavë", thanë burimet e lartpërmendura.
Sipas tyre, në dispozicion të emigrantëve janë ngritur 5 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, nga 3 dhe 2 që ishin një ditë më parë.
Burimet theksuan se fluksi është shfaqur në orët e para të mëngjesit, ku për 12 orë, kanë hyrë në Shqipëri afro 3200 emigrantë, 934 automjete, ndërsa dolën 2100 shtetas dhe 560 automjete.
Në prefekturën e Gjirokastrës në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalimi kufitar, Kakavija, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës dhe "Tre Urat", rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, rreth 50 kilometra larg Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët. /a.ke/