Berlin, 8 korrik 2010 – Djaloshi Kliton Pleqi, nuk e pati të vështirë vendimin për t'u futur në ambasadën gjermane. Ai ishte bir i një familjeje të deklasuar, që kishte gjetur format e protestës kundër regjimit. Sot ai është pedagog social në Hamburg.
Ëndrra për Perëndimin sikur bëhej më e afërt kur Kliton Pleqi së bashku me shokët dëgjonte në Tiranën, asokohe të izoluar, këngët e fuqishme të "Deep Purples", lexonte "Gjeniun" e Teodor Drajzerit, apo hapte fshehurazi radion "Zëri i Amerikës" në shtëpi. Kjo ishte forma e protestës e një 19-vjeçari, një protestë e heshtur kjo ndaj diktaturës. Kliton Pleqi, një djalë flokëzi e mjaft të dendur, kujton se ai që në moshë të re konsidorehej një armik i vogël i klasës, pasi familja e tij ishte vulosur me damkën e biografisë së keqe.
Ndoshta ishin tingujt e fuqishëm të Deep Purples që ai dëgjonte rregullisht, ato përgatitën në heshtje aktin e fundit të protestës, vendimin për largimin nga Shqipëria me thyerjen e murit të ambasadave në 2 korrik.
Kliton Pleqi kujton se si hyri në ambasadën gjermane dhe pse e zgjodhi pikërisht atë: "Një ditë para hyrjes në ambasadë kemi pasur një diskutim në familje. Prindërit nuk e kishin të lehtë të pajtoheshin me këtë vendim. Atë ditë kisha për të shkuar në punë. Në vend që të shkoja në punë, unë u nisa drejt e për në ambasadën e Republikës Federale. Gjermaninë e kam zgjedhur për arsye se atëherë si 19 vjeçar isha i apasionuar pas futbollit, por nuk duhet harruar se edhe unë si i ri kisha dëgjuar që Gjermania ishte një shtet i fuqishëm ekonomik".
Qëndrimi në ambasadën e mbipopulluar nuk ishte edhe aq komod. Rreth 3000 vetë qëndruan me ditë të tëra të ngujuar në një territor të vogël. Shpërndarja e ushqimeve u kthye në pazar matrapazësh, kujton Klitoni, ndërkohë që 8 WC-të brenda ambasadës nuk mund të përmbushnin nevojat sanitare të mijëra vetëve. Megjithëse gjendja nuk ishte e lehtë e durueshme, euforia për lirinë që ishte bërë aq e prekshme nuk zbehej.
Kliton Pleqi: "Paçka se pas hyrjes unë ndodhesha në një territor të kufizuar, prapë kisha ndjenjën se i kisha arritur liritë themelore. Ditët e mëvonshme patëm pastaj ca probleme. Ambientet sanitare nuk ishin të mira, pati disa improvizime, U morën katër kompensata, sipërfaqe të mëdha kompensatash, që u mbështetën tek njëra-tjetra dhe ky ishte një ambient sanitar, u bë një gropë aty, dhe kjo ishte. Problemi tjetër aty ishte ndarja e ushqimit. Kjo ishte problematike, jo se nuk kishte ushqim, Bëheshin pazare brenda për brenda territorit të ambasadës. Për shembull, jepesh një shufër sallami që këmbehej me një orë dore, e të tjera e të tjera këmbime të kësaj natyre",
Në natën e 13 për 14 korrikut erdhi më në fund momenti i shumëpritur i largimit nga vendi. Klitoni që nuk kishte marrë asgjë me vete si kujtim, ndodhej në udhëkryqin e gëzimit të ikjes dhe dhimbes së braktisjes. "Kur u nis trageti nga porti i Durrësit ka qenë ora katër e mëngjesit, kam pyetur të tjerët rreth meje, se vetë nuk kisha orë. Ishte një moment shumë i dhimbshëm. Ne ndjeheshim si të tromaksur në ato momente, se nuk e dinim kur do ta rishihnim Shqipërinë. Kam pasur nje dhimbje të tmerrshme, por edhe një ndjenjë e përzier. Nga njëra anë një gëzim i papërshkrueshëm, po dalim nga ky burg, nga ana tjetër prapë dhimbja ishte e tmerrshme."
Sot Klitoni jeton në Hamburg, qytetin që zgjodhi sapo mbërriti në Gjermani për dy arsye. Kishte dëgjuar për lumin e Elbës, në vjershën e Fan Nolit, "Anës lumenjve" dhe pak vite para 90-s, Hamburgu kishte fituar në futboll kupën e kampionit të Evropës. Por si e shikon ai vendim e largimit nga vendi, nga këndvështrimi i sotëm: "Përsa i përket integrimit tim këtu, edhe nga ana profesionale ka shkuar çdo gjë mirë. Unë punoj sot si pedagog i përgjithshëm, pedagog social, pranë Ministrisë së Arsimit të Hamburgut."
20 vjet kanë kaluar, më shumë se gjysma e jetës në një vend tjetër. Kliton Pleqi është i integruar, i kënaqur, por përgjigjen e asaj nëse do ta quante veten një shqiptar të gjermanizuar, apo thjesht shqiptar, ai mendon se nuk do përcaktojë dot asnjëherë përfundimisht. "Ah kjo pyetje, një pyetje nga ato pyetje që nuk i jep kurrë një përgjigje të saktë, kështu apo ashtu".
Deutsche Welle