Konsultimi Me Publikun, I Rëndësishëm Në Vendimmarrjen Mjedisore
TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Projekt-ligji "Për lejet mjedisore" synon të krijojë standarde të reja, që afrohen gjithnjë e më shumë me normat evropiane mjedisore.
Ky projekt-ligj është pjesë e paketës ligjore, e përbërë nga tre ligje, që Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave po përgatit sipas standardeve evropiane, me asistencën teknike nga projekti CARDS 2006 te BE-se, INPAEL, pjesë e masave në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Sipas ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, "tashmë ka ardhur koha që MMPAU të kthehet në një institucion që do të bëjë oponencë për të gjitha ato subjekte, që kërkojnë të marrin një leje mjedisore, duke pasur si qëllim të vetëm respektimin e mjedisit dhe kushteve të përcaktuara qartazi në këtë projekt-ligj".
Projekt-ligji synon të disiplinojë veprimtaritë që ndotin mjedisin, përmes vendosjes së një sistemi lejesh mjedisi të ndara në tri kategori A,B, dhe C në varësi të përmasave dhe sasisë së shkarkimeve në mjedis. Lista e veprimtarive që duhet të pajisen me leje mjedisore përcaktohet në anekset e projekligjit.
MMPAU vlerëson se "projekt-ligji transpozon dispozitat normative të Direktives nr. 1/2008, 'Mbi kontrollin dhe parandalimin e integruar të ndotjes' dhe dispozitat normative të Direktives nr. 80/2001 'Mbi disa kufizime ne shkarkimet në ajër të ndotësve të caktuar nga impiantet e mëdha me djegie'".
Ky projekt-ligj decentralizon miratimin e lejeve mjedisore duke i zgjeruar kompetencat strukturave të qeverisjes vendore dhe përcakton qartë kriteret e përfitimit të lejeve mjedisore. Projekt-ligji kërkon zbatimin e Teknikave me të Mira të Mundshme për kapjen dhe kontrollin e ndotjes, koncept që futet për herë të parë në Shqipëri dhe që synon investime ne teknologji moderne dhe bashkëkohore për shkarkimet në mjedis.
Përqasja e projekt-ligjit me standartet e BE-së pritet të shmangë nxitimet e investitoreve, mundesn që investimet teknologjike të jene të standarteve europiane, që garantojnë mbrojtje të mjedisit dhe zhvillim të qendrueshem të biznesit, pa patur nevoje për rinovime teknologjike të shpeshta, pasi koncepton ne fillim, detyrimin e tij për mbrojtjen e mjedisit.
Projekt-ligji jo vetëm përforcon instrumentat monitorues të zbatimit të lejes mjedisore nga operatoret, vendos sanksione të rrepta për ata që i shkelin, por dhe mundëson për here të parë krijimin e Rregjistrit Kombëtar të Shkarkimeve në mjedis, duke përmushur nje kerkese thelbesore të Integrimit Europian për matjen dhe njohjen e sakte të kontributeve të shkarkimeve ne mjedis nga Shqipëria. /a.ke/