English

Kosovë -Blair Vlerëson Arritjet Në Liri Dhe Pavarësi

PRISHTINË, 8 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, vlerësoi sot arritjet e Kosovës në 11 vitet e lirisë dhe në më shumë se dy vitet e pavarësisë, duke përkujtuar sonte, pas mbërritjes në Prishtinë, edhe vizitën që bëri në korrik të vitit 1999, pak kohë pas përfundimit të luftës në Kosovë. "Kam kënaqësinë dhe nderin që të jem këtu në shtetin e pavarur të Kosovës", tha ai pas takimit me Kryeministrin Hashim Thaçi. "Edhe pse nganjëherë përparimi mund të duket i ngadalshëm, që prej 11 vitesh prej herës së fundit që unë kam qenë këtu, janë kryer dhe janë bërë shumë gjëra", shtoi ai. "Dhe, siç diskutuam tani, sfidat janë që të ndërtohet, që të zhvillohen institucionet, kapacitetet, ekonomia dhe që të vazhdohet mbështetja e Kosovës për të gjetur vendin e saj të merituar në bashkësinë e kombeve dhe me perspektivën e Bashkimit Evropian, që është shumë e rëndësishme", theksoi Blair. Kryeministri Thaçi, në shenjë mirënjohje dhe respekti të përjetshëm të kosovarëve dhe të qeverisë së vendit, i dhuroi mikut të madh të Kosovës, Tony Blair, Deklaratën e Pavarësisë, të shpallur në 17 shkurtin historik 2008. Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, sonte pritet edhe nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili do t'i dorëzojë Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 12 qershor 2004, në Ditën e Lirisë - pesëvjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë./s.s./
KOMENTE