Kosovë -Mbërrin Në Prishtinë Ish-Kryeministri Britanik, Tony Blair
PRISHTINË, 8 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, mbërriti te enjten pasdite në Prishtinë, ku u prit nga Kryeministri Hashim Thaçi me nderimet më të larta shtetërore, interpretimin e himneve shtetërore të të dy vendeve dhe Gardën Ceremoniale të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Pas takimit me Kryeministrin Thaçi, Blair sonte do të pritet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili do t'i dorëzojë Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 12 qershor 2004, në Ditën e Lirisë, në pesëvjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë.
Medalja e Artë e Lirisë u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, për kontributin e lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.
Nesër ish-Kryeministri Blair do t'i drejtohet me një fjalë përshëndetëse Kuvendit të Republikës së Kosovës në një seancë solemne dhe do të takohet me qytetarë tek Teatri Kombëtar në Prishtinë. /s.s./