Kosove: Nderime Per Mikun E Madh, Tony Blair
PRISHTINË, 8 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ish-Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair sot në mbrëmje në Prishtinë do t'i dorëzohet Medalja e Artë e Lirisë, një dekoratë e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, më 12 qershor 2004.
Presidenti Rugova në 5- vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë, njoftoi në një akademi solemne se kishte vendosur të dekorojë me Medaljen e Artë të Lirisë burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës.
Dekoratën e lartë mikut të madh të Kosovës, Tony Blair, do t'ia dorëzojë solemnisht Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në pritjen që do të japë sonte për nder të tij.
Medalja e Artë e Lirisë u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, për kontributin e lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.Me Medaljen e Artë të Lirisë janë dekoruar edhe Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joseph Biden, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë vizitave në Kosovë vitin e kaluar.
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, mbërrin sot për vizitë dyditëshe në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Hashim Thaçi. Për mikun e madh të Kosovës, siç vlerësohet Blair, është organizuar një pritje të nivelit më të lartë shtetëror.
Kryeministri Thaçi dje pasdite në mbledhjen e Qeverisë, duke paralajmëruar vizitën e Blair tha se "është lider i përmasave botërore, një hero vërtetë i Kosovës, prandaj edhe meriton një pritje më të lartë edhe ceremoniale shtetërore dhe gjithëpopullore".
Ish-kryeministri Blair do të pritet nga kryeministri Thaçi me nderimet më të larta të Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë të Kosovës, do të takojë edhe drejtuesitit e tjerë më të lartë të vendit dhe do t'i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në një seancë plenare.
Nesër në mesditë Blair do të takohet me qytetarë në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
Kjo është vizita e parë në Kosovë e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair, pas shpalljes së pavarësisë. Tony Blair qëndroi në Prishtinë edhe në korrik të vitit 1999.
Kryeqyteti Prishtina është i stolisur sot me flamuj të ngritur të shtetit të ri - Kosovës dhe të Britanisë së Madhe, si dhe me fotografi të Tony Blair, duke i shprehur me këto imazhe, mirëseardhjen dhe mirënjohjen e përjetshme të gjithë kosovarëve.
"Njeri i Lirisë mirë se vjen!", "Heroi në Kosovë", "Mirë se vjen z. Toni Bler!" janë disa nga kryetitujt e ballinave të shtypit të sotëm kosovar, ku theksohet se ish-kryeministri britanik ka qenë njëri nga përkrahësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare, e sidomos në luftën e fundit në Kosovë.
Blair bashkë më ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, ishin shtytësit kryesorë që NATO t'i fillonte bombardimet mbi makinerinë ushtarake serbe, në pranverë të vitit 1999, të cilat ishin vendimtare për çlirimin e Kosovës dhe dëbimin e policisë dhe ushtrisë serbe.
Blair asnjëherë nuk ka hezituar të flasë me shumë admirim për Kosovën dhe përpjekjet që ka bërë. Ai ka deklaruar se Kosova është një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij. "Me dorën në zemër mendoj se kam bërë atë që ishte më se e drejta", ka thënë Blair, kur u largua nga detyra e kryeministrit të Britanisë./n.m/