Kosovë - Presidenti Sejdiu I Dorëzon 'Medaljen E Artë Të Lirisë", Tony Blair-It
- Sejdiu i dorëzoi z.Toni Bler "Medaljen e Artë të Lirisë", me të cilën e ka dekoruar Presidenti historik Ibrahim Rugova -.
PRISHTINË, 8 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot në kabinetin e tij ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler.
Në një ceremoni të veçantë, Presidenti Sejdiu i dorëzoi z.Toni Bler "Medaljen e Artë të Lirisë", me të cilën e ka dekoruar Presidenti historik Ibrahim Rugova, më 12 qershor 2004. Medalje kjo që u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, për kontributin e lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.
Në fjalëne tij Presidenti Sejdiu u shpreh se: "Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë një admirim të veçantë për ju, i nderuar Kryeministër Bler, dhe për vendin Tuaj, Mbretërinë e Bashkuar. Ne do t'ju jemi përherë mirënjohës për përkrahjen e jashtëzakonshme që na keni dhënë në ditët më të vështira që ka përjetuar vendi ynë".
"Roli juaj personal dhe i Mbretërisë së Bashkuar për çlirimin e Kosovës është i pazëvendësueshëm. Ju e bashkuat botën demokratike përreth Aleancës Veriatlantike në intervenimin më të madh humanitar të historisë moderne të njerëzimit për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi që i kanosej në pranverën e vitit 1999", theksoi Sejdiu, i cili shtoi se, "gjatë ditëve të luftës, Ju i dhatë kurajë dhe shpresë popullit të Kosovës duke e vizituar në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Sapo lufta mbaroi, ju erdhët në Kosovë për ta rikonfirmuar vendosmërinë Tuaj për të ardhmen demokratike dhe evropiane të vendit tonë.
"Sot ju jeni sërish në Prishtinë, kur Kosova e pavarur dhe sovrane, si vend për lirinë e të cilit ju u angazhuat me aq pasion, ju pret si një mik, si një lider dhe si një hero. Si President i Republikës ë Kosovës, unë ndihem shumë i privilegjuar t'jua dorëzoj "Medaljen e Artë të Lirisë", me të cilën ju ka dekoruar paraardhësi im, dr. Ibrahim Rugova, në shenjë të nderimit të gjithmonshëm që kanë për ju të gjithë qytetarët e Kosovës', përfundoi Presdienti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu. /gj.m/