(Lidhur me rihapjen e çështjes së ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi)
Avni Klinaku, kryetar i Lëvizjes për Bashkim
Raif Qela, nënkryetar i Lëvizjes për Bashkim
Ditët e fundit janë shpeshtuar deklaratat në lidhje me mundësinë e “shkëmbimit” të territoreve në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Moment i ri është se për këtë çështje u prononcua edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Por, siç po duket në bazë të mjeteve të informimit, kjo temë ka filluar të debatohet edhe në qarqet zyrtare të Serbisë. Kohët e fundit edhe ashtu mund të vërehet një ndryshim në politikën serbe në raport me serbët në Kosovë. Gjithnjë e më qartë po përvijohet tjetër qëndrim i shtetit serb ndaj veriut të Kosovës dhe tjetër qëndrim ndaj serbëve që jetojnë në brendësi të Kosovës; përderisa lidhur me veriun e Kosovës shteti serb favorizon bojkotin e popullsisë serbe ndaj institucioneve të Kosovës, ndaj serbëve që jetojnë në brendësi të Kosovës shteti serb në heshtje dhe në mënyrë indirekte e favorizon një integrim të tyre gradual në jetën institucionale të Kosovës.
Si gjithmonë, edhe lidhur me çështjen e ndryshimit të kufijve u prononcuan edhe përfaqësuesit e institucioneve tona. Ato, si në kor i përsërisin disa deklarata bajate se kufijtë e Kosovës janë të pandryshueshëm, se kjo është e papranueshme, etj. etj. Kështu duhet të thonë, sepse ose “miqtë tanë ndërkombëtarë” i kanë “këshilluar” të thonë kështu, ose nuk e dinë se çka thonë.
Kush më shumë se populli shqiptar ka humbur dhe humb me mbetjen e kufijve ekzistues?
Kush më shumë se populli shqiptar ka arsye t’i ndryshojë këta kufij të caktuar padrejtësisht prej pushtuesve?
Kush më shumë se populli shqiptar do të duhej të ishte për hapjen e Kutisë së Pandorës, nga mbajtja mbyllur e së cilës shqiptarët janë viktimat më të mëdha?
Kanë mbetur nën pushtimin klasik serb territoret shqiptare në tri komunat në lindje të Kosovës (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë). Kanë mbetur nën mëshirën e uzurpatorëve shovinistë serbë mbi trembëdhjetë mijë shqiptarë të dëbuar me dhunë nga pronat e veta në veriun e Mitrovicës. Kanë mbetur me mijëra të tjerë në një pjesë të veriut të këtij qyteti e në fshatrat përreth nën mëshirën e bandave shoviniste serbe dhe ata terrorizohen në vazhdimësi. E të mos flasim për territoret shqiptare që kanë mbetur nën pushtimin maqedonas, malazias etj.
Sidoqoftë, t’i kthehemi Kosovës dhe marrëdhënieve shqiptaro-serbe, të cilat mund të zgjidhen me vullnet të mirë, edhe pa pasur efekt të drejtpërdrejt në vendet përreth.
Kufiri i Kosovës nuk ka qenë gjithmonë i njëjtë: në kohën e Perandorisë Turke Sanxhaku i Kosovës e ka përfshirë një pjesë të madhe të rrethinave të Nishit, por edhe Shkupin; në kohën e Jugosllavisë së pas-LDB-së, fillimisht në këtë territor nuk kanë qenë të përfshira tri komunat e pjesës veriore të Kosovës së tanishme (Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan). Këta kufij Serbia i ndryshoi disa vite më vonë, duke ia bashkëngjitur Kosovës këto tri komuna, e duke ia marrë asaj tri komuna me shumicë shqiptare në lindje të Kosovës (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë).
Rishikimi i kufijve shqiptaro-serbë është para së gjithash në të mirën e popullit shqiptar, por edhe në të mirën e popullit serb dhe të rajonit në përgjithësi.
Por cili duhet të jetë parimi i caktimit të kufijve të rinj?
Për këtë duhet të vlejë parimi themelor demokratik: duhet të pyetet vullneti i popullit. Dhe ky vullnet i popullit do ta përcaktonte qartë vijën kufitare ndërmjet Serbisë dhe popullit shqiptar. Gjithkund ku shqiptarët janë shumicë do të deklaroheshin për shkëputje nga vargonjtë serbë: në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë; në veriun e Mitrovicës, ku shqiptarët akoma përbëjnë shumicë po të lejohen të kthehen në pronat e veta; në tri fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit, në tri fshatrat shqiptare të komunës së Zveçanit dhe në një fshat shqiptar të komunës së Z. Potokut. Të gjitha këto territore janë pjesë e trungut etnik shqiptar, d.m.th. kanë vazhdimësi territoriale me pjesën shqiptare.
Duhet theksuar se institucionet e Kosovës nuk e mbajnë dhe as që do të mund ta mbajnë nën kontroll territorin të banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës: pjesën më të madhe të komunave Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Përpjekja për ta futur nën kontroll këtë pjesë të banuar pothuajse vetëm me serbë, jo vetëm që shpenzon energji të kota të shtetit të Kosovës dhe të populllit shqiptar, por edhe e mban gjallë urrejtjen në mes të popujve. Rrjedhimisht, edhe e fuqizon superstrukturën e Pakos së Ahtisarit.
Kufijtë kontestues janë burim i tensioneve e i konflikteve, e rrjedhimisht i mungesës së stabilitetit politik dhe i mungesës së zhvillimit ekonomik.
Vazhdimi i kësaj situate do të thotë tkurrje e vazhdueshme e trungut etnik shqiptar në dobi të shovinizmit serb. Fakte për këtë janë: shkretimi i vendbanimeve shqiptare në komunën e Medvegjës e Bujanocit, kolonizimi i vazhdueshëm i veriut të Mitrovicës nga kolonë serbë, gjendja e pashpresë për banorët e fshatrave shqiptare në veri të Kosovës etj.
Sa më parë të pranohet e drejta e vetëvendosjes si parim i përcaktimit të kufijve, aq më mirë.
Kjo edhe për shumë shkaqe të tjera: rishikimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, d.m.th. nënkupton forcim të sovranitetit të Kosovës; përbën zgjidhjen e çështjes së Kosovës Lindore, si një pjesë e pazgjidhur e çështjes sonë kombëtare; nënkupton lirim nga çështja e serbëve në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok (e ashtuquajtora Kosovë veriore); nënkupton zgjidhjen e problemit të veriut të Mitrovicës e fshatrave përreth; nënkupton heqjen qafe të Pakos së Ahtisarit dhe kështu na kthehet e drejta e vetëvendosjes dhe bashkimit me shtetin amë – Republikën e Shqipërisë; krijohen premisa të vërteta të zhvillimit normal ekonomik dhe hapen perspektivat e integrimeve ndërkombëtare.
Zgjidhja e kësaj çështjeje vetëm në një drejtim i mbyll disa dyer: e vështirëson (në mos e pamundësoftë) krimin e organizuar dhe matrapazllëkun me Serbinë! Ndoshta kjo është arsyeja përcjellëse pse “nuk duhet të hapet çështja e kufijve”! Ndërsa arsyeja e vërtetë është interesat politike e ekonomike të një pjese të faktorit ndërkombëtar dhe servilizmi i politikanëve pushtetarë të Kosovës ndaj tyre.
Pushtetarët tanë do të duhej që të bënin presion te faktorët ndërkombëtarë që çështja shqiptaro-serbe e mbetur pezull të hapej sa më parë. Së pari duke i kthyer shqiptarët në pronat e veta në veriun e Mitrovicës, e pastaj duke kërkuar të drejta të njëjta për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, siç po i marrin me dhunë (edhe me ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë) serbët e Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut. Pa dyshim se regjimi i sotëm shovinist serb synon që të zhvatë sa më shumë që të mundet nga territoret shqiptare, por një parim duhet të vlejë për të dyja palët.
Dhe deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro-serbe, sepse akoma nuk është e pritshme që të pranohet parimi i së drejtës së kombeve për vetëvendosje, parim bazë i marrëveshjes shqiptaro-serbe do të ishte reciprociteti: atë çka e kërkojnë serbët për vete në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, institucionet e Kosovës, por edhe ato të R. së Shqipërisë do të duhej të ngulmonin që po ato të drejta t’i gëzonin edhe shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Kjo politikë largpamëse do të shpinte vetvetiu në rishikimin e mëvonshëm e të pashmangshëm të kufijve të vendosur padrejtësisht nga kolonializmi serb.
Për këtë politikë kombëtare duhet një grup negociator i vendosur për t’i mbrojtur interesat e vërteta kombëtare, e jo si i ashtuquajturi Grup i Unitetit, pasojat e vendimeve të të cilëve do t’i ndiejnë mbi kurriz edhe disa gjenerata.
Udhëheqja politike e Kosovës nuk do të duhej të shqetësohej nga rishikimi i kufijve me Serbinë, kufij këta që asnjëherë nuk kanë qenë produkt i vullnetit të popullit, por rezultat i imponimit të pushtuesit serb dhe mbetja e tyre vetëm sa do ta zgjaste edhe më shumë agoninë e raporteve serbo-shqiptare në të ardhmen. Kufijtë e sotëm janë rezultat i pushtimit te djeshëm dhe si të tillë duhet të korrigjohen në emër të gjeneratave të ardhshme të të dy popujve që ata të jetojnë pranë njëri-tjetrit.
(*) Dërguar nga autorët, qëndrimet janë personale