Lohan: Shqipëria Përmbushi Detyrimet Për Pastrimin Nga Minat
TIRANE, 8 Korrik / ATSH- A.Gegvataj/ - "Arritjet e Shqipërisë për heqjen e minave kanë qënë tepër të mëdha", deklaroi sot Ambasadori i KE-së Helmut Lohan gjatë aktivitetit me temë "Promovimi i kontributit të BE-së për Veprimin kundër minave në Shqipëri".
Lohan tha se "sot Shqipëria nuk ka mina dhe vërtet jam i lumtur, që ne të mblidhemi bashkë për të festuar këtë arritje të madhe "Një Shqipëri pa mina".
Sipas tij, puna dhe profesionalizmi i ekspertëve shqiptarë dhe të huaj ka bërë të mundur pastrimin e zonave nga minat.
Kreu i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan nënvizoi se "Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj në lidhje me detyrimet e përcaktuara nga konventa ndërkombëtare për pastrimin e zonave të minuara shumë përpara afatit kohor".
Ndërsa Përfaqësuesja e PNUD në Shqipëri, Gulden Turkoz Cosllett, deklaroi se "duhet të jemi krenarë që Shqipëria është një vënd pa mina".
Ajo theksoi PNUD është përfshirë në dy aspekte për arritjen e këtij qëllimi, pastrimin e minave dhe në ndihmën dhe riintegrimin e të aksidentuarve.
I pranishëm në aktivitet, zv.ministri i Mbrojtjes, Arian Starova falenderoi BE-në dhe përfaqësinë e programit të zhvillimit të Kombevë të Bashkuara për mbështetjen 10 vjeçare në përpjekjet e përbashkëta për arritjen e këtij suksesi të rëndësishëm.
"Pastrimi prej minave i zonës kufitare verilindore të vëndit bëri të mundur të hiqen pengesat për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të zonës", tha Starova. Sipas tij, banorëve në këto zona ju rikthye siguria për jetën dhe u largua kërcënimi ndaj interesave ekonomike ne përdorimin e tokave bujqësore. "Qeveria shqiptare arriti të përmbushë edhe objektivat si vend ndaj detyrimeve të konventave ndërkombëtare që lidhen me veprimin ndaj minave", tha ai.
BE ka mbështetur Programin Shqiptar të Veprimit kundër Minave me një ndihmë financiare prej 5.07 milion euro, e cila ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në përmirësimin e jetës dhe sigurisë së banorëve në fshatrat dikur të ndotura me mina në verilindje të Shqipërisë./n.m/