English

Meta: Rezoluta e PE, inkurajim për të ecur në rrugën e duhur drejt BE-së

Tiranë, 8 korrik, NOA – “Dua të përshëndes rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian, e cila është një inkurajim për të ecur në rrugën e duhur, për të arritur në kohën tashmë të pritshme të liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë, por njëkohësisht dhe për të çuar më tej proceset integruese”.

Me këto fjalë, zv/kryeministri Ilir Meta përshëndeti sot rezolutën e miratuar nga PE, për Shqipërinë, duke thënë se beson që ajo “jep në mënyrë shumë të qartë sesi duhet ecur në drejtimin e duhur”.

“Ndaj vlerësoj gatishmërinë dhe ftesën e kryeministrit Berisha, për t’i kërkuar opozitës dhe Partisë Socialiste të punojmë së bashku për zbatimin sa më shpejt të kësaj rezolute”, tha ai duke dalë në mbështetje të hapave të ndërmarra nga mazhoranca për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Sipas tij, ajo që mbetet tani është që kjo rezolutë të implementohet.

“Unë pashë se të dy palët e mbështetën rezolutën dhe mbetet vetëm vullneti për ta zbatuar. Dhe mazhoranca është e gatshme për të filluar menjëherë punën për zbatimin e kësaj rezolute”, shtoi ai lidhur me një argument të tillë.

Duke përfunduar se “vullneti ka qenë dhe është për filluar menjëherë dhe duhet bërë në mënyrë kushtetuese, ashtu siç e shpreh qartë dhe rezoluta”.

n.e/NOA

KOMENTE