Mf: Drejt Përfundimit Drafti Për Rishikimin E Buxhetit
TIRANE 8 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Ministria e Financave pritet të përfundojë sot draftin për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010, si dhe atë për rritjen e pagave në adminsitratën publike.
Sipas burimeve zyrtare nga kjo ministri, reduktimet buxhetore për pjesën e dytë të këtij viti do të kryhen në shpenzimet për investime, kryesisht në projektet që ende nuk janë nisur po ashtu edhe në mirëmbajtje, ndërsa në sektorët prioritare si shëndetësia dhe arsimi, si dhe në investimet që janë nisur do të vazhdojnë normalisht.
Vendimi i qeverisë për rishikimin e buxhetit që parashikon uljen e shpenzimeve me rreth 25 % të buxhetit aktual, sipas burimeve nga ministria e financave synon mbajtien në kontroll të defiçitit, duke ulur shpenzimet.
Lidhur me rritjen e pagave, burimet nga ministria e Financave sqarojnë se në draftin që do të mbërrijë në Këshillin e Ministrave është parashikuar që pagat e administratës publike të rriten mesatarisht 4-7 %, por rritjen më të madhe do ta kenë pagat e infermereve, arsimtareve dhe mjekeve.
Në bazë të draftit paraprak, pagat maksimale do të rriten vetëm me 2 për qind. Punonjësit e shërbimit civil do të kenë një rritje nga 4-7 për qind. Pagat e punonjësve të ushtrisë me grada sipas hierarkisë do të rriten nga 2-7 për qind. Arsimtarët do të kenë një rritje prej 6 për qind të nivelit të pagave, mjekët do të kenë një rritje prej 12 për qind, kurse infermierët prej 10 për qind.
Burimet thanë se rritja reflekton situatën tërësisht pozitive të financave publike të vendit, njëkohësisht është një instrument efikas në shpërndarjen me eficente të burimeve financiare të vendit, në mbështetje te rritjes ekonomike.
Opozita ka kundërshtuar këtë vendim të qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve si demagogji të qeverisë dhe si një hap që do të rriste defiçitin buxhetor.
Por ministria e Financave sqaron kjo rritje erdhi vetëm falë rritjes së të ardhurave dhe se nuk janë prekur depozitat e shqiptareve. Sipas MF-së, vlera vjetore prej 12 miliardë lekësh që vjen si kosto e rritjes së pensioneve dhe pagave do të përballohet tërësisht nga realizmi i të ardhurave në buxhet.
Në këtë kuadër ministria shpjegon se në 5 muajt e parë të 2010-ës me gjithë deficitin e shkaktuar nga mosrealizimi i zërit të të të ardhurave nga bashkitë prej 4.1 miliardë lekësh janë realizuar sa 92 për qind e programit fillestar ose 5 për qind më shumë krahasuar me 5-mujorin e vitit të kaluar. Kjo është komentuar si një situatë pozitive e financave shqiptare që lejon rritje të pagave dhe pensioneve.
Nga ana tjetër Minstria e Financave ka reaguar edhe ndaj akuzave të opozitës se qeveria mori hua për rritjen e pagave dhe pensioneve. Sipas MF, qeveria orienton huat dhe borxhet e saj vetëm për të mbështetur investimet publike.
"Që nga viti 2005 e në vijim, buxheti i shtetit shqiptar është në suficit primar, që do të thotë se huatë dhe borxhet e mara nga Qeveria shkojnë 100% për të financuar investimet publike, të tilla si rrugë, shkolla, ujësjellës, spitale", sqaroi nëpërmjet një deklarate për shtyp MF.
Këshilli i Ministrave miratoi javën e shkuar vendimin për rritjen e pensioneve mujore për 520 mijë qytetarë shqiptarë në masën 6 për qind për pensionet e ulëta në qytet, 10 për qind pensionet në fshat dhe 4 për qind pensionet e larta dhe suplementare./n.m/