Askush nuk mund ta kuptojë cilat janë interesat konkrete që qeveria, ndërsa fle gjumë 5 vjet rresht, një ditë të bukur pikërisht në prag të fillimit të sezonit turistik, kur vëmendja e medias edhe ndërkombëtare drejtohet drejt promovimit të potencialeve turistike të vendit, qeveria me dhunë fillon aksionin spontan të prishjeve informate
Nga Arben Malaj
Kohët e fundit, veprimet e dhunshme të qeverisë, aksionet me sa më shumë policë, po rëndojnë negativisht ambientin shoqëror dhe politik në vend. Prishjet në Ksamil, Vlorë, Durrës, Hamallaj, spontaniteti dhe klientelizmi me të cilën veprohet, fodullëku me të cilin pozohet në media, dhuna me të cilën reagohet ndaj qytetarëve, jo vonë do të tregojnë se boja e përdorur për të ngjyrosur fasadën e shtetin ligjor do të mbetet vetëm një pamje e shëmtuar dhe e trishtueshme.
Askush nuk mund ta kuptojë cilat janë interesat konkrete që qeveria, ndërsa fle gjumë 5 vjet rresht, një ditë të bukur pikërisht në prag të fillimit të sezonit turistik, kur vëmendja e medias edhe ndërkombëtare drejtohet drejt promovimit të potencialeve turistike të vendit, qeveria me dhunë fillon aksionin spontan të prishjeve informale.
Pas tranzicionit të viteve 90, pas braktisjes nga shteti të zonave më të vështira të vendit, pasi ato zona mbeten pa mësues, pa infermierë, pa mjekë, pas përkeqësimit të infrastrukturës, pas mungesës së rendit publik, mungesës së dritave dhe ujit, mijëra familje me shumë sakrifica u vendosën rreth qyteteve të mëdha të vendit.
Kjo zhvendosje ka qenë e dhimbshme, e shoqëruar me kushte të vështira strehimi, me kushte të vështira jetese, por pa dyshim me mundësi më të mira për mirë arsimimin e fëmijëve të tyre dhe me mundësi në rritje për një jetë më të mirë.
Për ato shtëpi që prishen me aq bujë dhe dhune, mijëra shqiptarë kanë punuar në kushte të vështira në vende të ndryshme larg familjeve të tyre. Në ato ndërtesa është djersa, në jo pak rast edhe gjaku i fëmijëve dhe prindërve të tyre në mërgim.
Braktisja e fshatrave dhe orientimi drejt qendrave të urbanizuara nuk është një fenomen tipik shqiptar. Tipik shqiptar është dështimi për ta orientuar këtë proces. Tipik shqiptar është dështimi për të përmirësuar infrastrukturën rurale, për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë në zonat rurale, për të krijuar një ambient biznesi sa më të mirë, ndaj na ndodh që braktisin fshatrat e tyre, jo thjesht banorët e zonave realisht të vështira, por edhe banorë fshatrash që janë 6-7 km larg qyteteve.
Ka rreth 20 vjet që jo për faj të tyre se dëshirojnë një jetë më të mirë, por për faj të keqpërdorimit politik të tyre, ky fenomen jo vetëm nuk është ndalur, duke e orientuar në zonë potenciale për urbanizim, por në prag fushatash edhe gjatë zgjedhjeve të 2009-s u toleruar dhe u nxit.
Për shkak të dështimit të politikave të urbanizimit, nga prishjet e dhunshme, mijëra familje janë në ankth, miliarda lekë pjesë e pasurisë individuale dhe pasurisë kombëtare po shkatërrohen. Dy mund të jenë rastet konkrete të përcaktuara edhe në kushtetutë, ku ndërhyrja e shtetit mund të jetë e fortë, por në asnjë rast e dhunshme.
E para, kur ka ndërtime që bllokojnë investimet publike, pasi nuk duhen penguar investimet për rrugët, portet, aeroportet, hekurudhat, shkollat, spitalet. Dhe rasti i dytë është kur cënohen dhe rrezikohen pasuritë kulturore, të cilat në një proces integrimi dhe globalizimi do të jenë të vetmet prova reale të identitetit tonë kombëtarë.
Ngjarjet në Ksamil, Vlorë dhe Hamallaj janë konkrete për dështimin e qeverisë. Strategjitë e zhdukjes së informalitetit me forcën e dhunës shtetërore, ka dështuar edhe në vende me institucione shumë më të forta se ne.
Ekspertët më të mirë në botë rekomandojnë si strategjinë më të mirë planet urbanistike afatgjata, orientimin e ndërtimeve në zona ku urbanizimi është i mundshëm dhe ku ndërtimet e reja janë më të lehta dhe më të lira për tu bërë. Ata rekomandojnë përmirësimin rrënjësisht të të gjithë faktorëve që i mbajnë banorët në zonat e tyre, dhe që pengojnë braktisjen e këtyre zonave.
Ne, me politikat dhe strategjitë tona të zhvillimit duhet të rrisim hapësirat territoriale për zhvillim, të pakësojmë burokracitë dhe kostot e tij. Vetëm kjo mund ta ulë realisht informalitetin dhe korrupsionin.
Qeveria në vend që të angazhoj miliona dollarë të taksa paguesve shqiptarë për koncerte partiake, duhet të krijoj fonde financiare dhe strukturat përkatëse për strategjitë e urbanizimit dhe zhvillimit të territorit.
Duhet të bëhen studime 50 deri 100 vjeçare për zhvillimin e infrastrukturës se vendit, rrugëve, porteve, aeroporteve, hekurudhave, ujësjellësve, rrjeteve të transmetimit të energjisë, etj. Duhet të miratohen këto projekte strategjike, të bëhen të njohura për të gjithë, të inventarizohen deri edhe të kontabilizohen si pasuri publike këto territore/prona si pjesë e strategjive afatgjata të zhvillimit ekonomik të vendit.
Duhet bërë sa më parë reforma administrative e vendit, qytetet e mëdha po mbyten nga dendësia e ndërtimeve, zgjerimi i infrastrukturës së tyre do të bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe gjithnjë e më i kushtueshëm.
Mundësitë për ndërtime brenda qyteteve po zvogëlohen, sipërfaqet e gjelbra dhe shlodhëse do të tkurren ndjeshëm. Pakësimi i mundësive për ndërtime në qytetet e mëdha, do të sjellë konkurrencë abuzive deri edhe kriminale, nëse qytetet nuk zgjerohen me hapësira të reja edhe nga bashkimi me komunat përreth tyre.
Çdo prishje e dhunshme, çdo shkatërrim në mënyrë spontane në disa zona të vendit, pa i qartësuar ku do të rivendosen, pa i ndihmuar të rivendosen, çdo mentalitet se dhuna do të ndal informalitetin, se dhuna e mban shtetin, do të jenë pjesë e një dështimi të sigurt, siç ndodh me çdo qeveri të dhunshme.