Lezhë, 8 Korrik 2010 NOA – Një efektiv i policisë së burgut të Lezhës u arrestua mbrëmjen e sotme, pasi nën hundën e tij gëlonin celularët dhe aksesorët e tyre nëpër qeli dhe madje në kasafortën e tij mbaheshin pjesë nga pajisjet.
Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme i thanë agjencisë NOA se Shkëlqim Shabani, punonjës i policisë së rolit bazë në burgun e Lezhës u arrestua në kushtet e flagrancës pasi në kasafortën që kishte në ambientet e brendshme të punës, mbante celularë dhe karikues.
“Të arrestuarit iu gjetën 12 karikues celularësh të cilët i mbante në kasafortë”, saktësoi për agjencinë NOA një burim zyrtar policor nga SHKB (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm).
“Këto karikues celularësh do të futeshin në mjediset e regjimit të brendshëm të të dënuarve”, saktësoi policia, duke nënkuptuar qelitë.
Nga hetimi ka dalë se ky gardian prej disa muajsh e kryente këtë aktivitet të furnizimit të të dënuarve me karikues celularësh dhe duke u hapur rrugën kështu komunikimit të tyre lirisht me botën jashtë qelive.
Duke iu referuar zhvillimeve që çuan në prangosjen e të dyshuarit, burimet zyrtare policore thanë: Sot në orët e mbrëmjes, do të futeshin në qelitë e të burgosurve edhe 12 celularë që u korrespondonin karikuesve të futur më herët, si pjesë e parë e procesit të pajisjes së të burgosurve me celularë kundrejt përfitimit abuziv.
Në lidhje me këtë ngjarje dhe zanafillën e saj si dhe lidhjet e të arrestuarit me të burgosurit, policia tha se do t’ia kalojë dosjen hetimore Prokurorisë së Rrethit Lezhë për ndjekje të mëtejshme.
a.b/r.n/NOA