English

Oktapodi Paul do të “prononcohet” për Finalen, gjermanët: Ta hamë të skuqur apo në zgarë

Berlin, 8 korrik 2010, NOA - Oktapodi Paul, orakulli i pagabueshëm i Botërorit 2010, do të parashikojë nesër ndeshjen e së shtunës midis Gjermanisë dhe Uruguait e nëse do këtë dëshirë edhe finalen e së dielës ku do të luajnë për titullin kampion bote Holanda dhe Spanja.

Lajmi bëhet nga drejtuesit e akuariumit në Oberhausen, ku Paul qëndron prej dy vjetësh.

Teknika është gjithmonë e njëjtë: në vaskën e tij do të lihen mënjanë dy kontejnerë plot butakë me ngjyrat e dy ekipeve: Paul do të përcaktojë fituesin.

Në kampionatin botëror “Afrikë e Jugut 2010” oktapodi Paul ka parashikuar saktë të gjitha ndeshjet e Gjermanisë, si fitoret, ashtu dhe humbjet me Serbinë dhe Spanjën.

Por në mesin e tifozëve gjermanë Paul nuk është i preferuar. Gazetat gjermane dhe faqet e internetit kanë propozuar receta të ndryshme gatimi, nëse mund të jetë i shijshëm: I skuqur, apo i pjekur në zgarë.Të tjerë tifozë të zhgënjyer i kanë kërkuar drejtuesve të akuariumit në Oberhausen që Paulin t’ua hedhin peshkaqenëve.

Por nuk mungojnë dhe tifozët e Paulit të cilët tashmë kanë nisur në Facebook një fushatë me apelin: “Shpëtoni oktapodin Paul”.

Nga ana tjetër Tanja Munzig, zëdhënës i akuariumit “Sea Life” ka deklaruar se një e ardhme e madhe e pret Paul dhe se askush nuk ka për ta lënduar. "Karriera e tij do të vazhdojë, ne jemi duke marrë parasysh propozimet dhe kërkesat e ndryshme", tha ai.

a.k./NOA

{youtube}mrT9vNVNMe0{/youtube}

KOMENTE