Opinion/ Zhilla: Është Koha Për Amnistinë Fiskale
TIRANE 8 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla deklaroi të enjten për ATSH-në se, është pikërisht koha për të bërë këtë vit amnisti fiskale, pasi si biznesi, ashtu edhe administrata shqiptare, vitet e fundit kanë arritur të formalizojnë mjaft nga veprimtaritë e tyre.
"Informalizimi i aseteve të biznesit nuk ka ndodhur vetëm për faj të biznesit, por edhe administratës që ka patur një performancë shumë të dobët gjatë tranzicionit dhe mungesës së kapaciteteve që ka pasur biznesi gjatë këtyre viteve", deklaroi Zhilla.
Sipas tij, ndër shkaqet që ka ndikuar në krijimin e këtij informaliteti në procesin ekonomik është edhe vetë mënyra se si filloi kapitalizmi në Shqipëri. Zhilla vlerëson se "ndërmarrja e nismës për të kryer amnisti fiskale është për të përshëndetur, por njëkohësisht, është dhe e komplikuar".
Zhilla u shpreh se procesi për hartimin e draftit për amnistinë fiskale në Ministrinë e Financave po ecën dhe se ky koncept është pranuar nga ana e saj për t'a materializuar në formën e tij juridike.
"Është shumë e rëndësishme që para hyrjes në Europë, të zhvillojmë një amnisti fiskale për të pastruar si të thuash ato qoshet nga problematike e keqkuptimeve mes biznesit dhe administratës dhe të fillojë një fazë e re e komunikimit mes këtyre dy palëve", shprehet Zhilla.
Ai kërkon gjtihashtu edhe mbështetjen e opozitës për haritmin dhe miratimin e draftit.
"Opozita nuk ka asnjë arsye të mos mbështesë amnistinë fiskale as në aspektin juridik dhe as në atë moral. Dikur edhe ajo vetë e ka promovuar këtë ide. Por nëse opozita edhe këtë ligj e kthen në një ngërç politik, kjo nuk i shërben", tha ai.
Zhilla ndërmarrjen e këtij procesi nuk e sheh vetëm si një burim të ardhurash, qoftë për qeverinë apo biznesin, por edhe si një hap që do të vendosë vijën e finishit, fazës së zhvillimit të ekonomisë dhe biznesit shqipar dhe hapjes së një faqeje të re në ardhmërinë e tij.
"Personalisht nuk jam i mendimit se do të çlirohen disa miliarda që janë deklaruar nga disa prej personalitete sepse edhe po të hedhim një sy dinamizmit të investimeve në disa qarqe të mëdha, si Tirana, apo Durrësi, dhe asaj çfarë po mbyll procesi i legalizimit, janë pjesë e informalitetit që ka ekzistuar", tha Zhilla./n.m/