English

Pe Miraton Rezolutën Pro Integrimit Të Shqipërisë Në Be

TIRANE, 8 Korrik/ ATSH- A.Gegvataj/ . - Parlamenti Europian miratoi sot rezolutën për vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së, përmes së cilës europarlamentarët e PE-së i bëjnë thirrje maxhorancës dhe opozitës t'i japin fund krizës politike, nisur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009. PE kërkon që vendi të përmbushë gjatë muajve të ardhshëm pikat e mbetura të udhërrëfyesit, ndërsa i bën thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për dialog konstruktiv për ligjin e ri elektoral, i cili duhet të garantojë transparencë të plotë në zgjedhjet e ardhshme. Rezoluta thekson se "funksionimi i plotë i institucioneve, sidomos e Parlamentit, që është shtylla e konsolidimit të sistemit të demokracisë, është një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE". Në Rezolutë vihet në dukje se "një gjyqësor transparent, i paanshëm dhe efikas, i pavarur nga çdo presion politik apo kontroll tjetër, është thelbësor për sundimin e ligjit", është një tjetër kusht për integrimin në BE. Rezoluta ka 26 pika dhe mban në krye të saj emrin e raporterit për Shqipërinë, eurodeputetit Nikolas Chountis. Ajo u mbështet një ditë më parë nga 59 anëtarë nga 60 të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian. Rezoluta mirëpret ndërkohë edhe vendimin e 27 majit të PE-së për liberalizmin e vizave për Shqipërinë. /s.s./
KOMENTE