Përfundojnë Punimet Për Ndërtimin E Unazës Veriore Të Korçës
TIRANE, 8 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi gjatë inspektimeve sot të disa investimeve për ndërtim dhe rehabilitim rrugësh në rajonin e Korçës, vlerësoi përfundimin e punimeve për rikontruksionin e Unazës Veriore të qytetit të Korçës.
Projekti për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Unazës Veriore të Korçës, investim me vlerë 137 milionë lekë, përfshin segmentin nga kryqëzimi i Ersekës deri në varrezat e qytetit, që si pjesë e përfunduar e unazës i bashkëngjitet 4 loteve të tjera të përfunduar më parë.
Ministri Olldashi gjithashtu inspektoi punimet edhe në segmentet Qafë- Thanë -Lin- Pogradec dhe Qukas -Qafë Plloçë.
Në rrugën turistike Qafë- Thanë -Lin- Pogradec janë shtruar 2 km e pare, ndërsa punimet po kryen me ritme te larta dhe në shtator priten të përfundojnë 5 km të tjerë, bënë të ditur burime zyrtare të MPPTT-së.
Sipas burimeve të mësipërme, segmenti rrugor Qukës-Qafë Ploçë është drejt asfaltimit, tashmë ka përfunduar traseja dhe hedhja e shtresës së stabilizantit dhe kanë përfunduar punimet në pjesën më të madhe të veprave të artit. Ky segment, pjesë e boshtit Juglindor, shkurton me 12 km aksin e meparshem rrugor Qukës-Pogradec-Korçë.
Gjatë inspektimit të punimeve, ministri Olldashi u shpreh se "po marrin formë kilometrat e parë të rrugës Qukës-Qafë Ploçë, një segment i ri, i cili shkurton me 30 minuta kohën e përshkrimit të intinerarit drejt qytetit të Korçës".
Ky segment, që shmang korridorin ekzistues Lindje-Perëndim ka një rëndësi të madhe për zonën, pasi i jep një frymëmarrje të re Qukësit, Mokrës e më gjerë. /a.ke/