English

Përfundon Me Sukses Operacioni "Arsenali", I Policisë Së Qarkut Lezhë

TIRANË, 1 Korrik /ATSH, Edmond Prifti/ - Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, u arrit të realizohej me sukses operacioni i koduar me emrin "Arsenali", thuhet në një njoftim të orëve të vona të ditës së mërkurë, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë. Në finalizim të këtij operacioni të forcave të Policisë së Shtetit, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit Arben Simoni, me precedentë penalë të mëparshëm, lindur e banues në Lezhë. Arrestimi i Simonit u bë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në lagjen Sheher, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh luftarake, duke përfshirë, automatikë, mitralozë, pushkë, disa dhjetëra granada ofensive dhe defensive, dhjetëra kallëpe tritoli dhe arka me fishekë. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, materialet në ngarkim të shtetasit Arben Simoni, iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për procedim të mëtejshëm.
KOMENTE