English

Qeveria Rrit Nga 4 Në 11 Për Qind Rrogat E Administratës

- Kryeministri Berisha tha se nuk do të rriten rrogat e larta - TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës në masën nga 4 për qind në 11 për qind. Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë se "kjo rritje bëhet në një kohë kur në tërësi rrogat po ulen", por sipas tij, "qeveria shqiptare nuk ka arsye të heqë dorë nga premtimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve". Të ardhurat e realizuara këtë 6 mujor prej 151 miliardë lekë, sipas Kreut të Qeverisë, "bëjnë plotësisht të mundur rritjen e rrogave të administratës". "Rritja e rrogave bëhet mbi bazën e këtyre të ardhurave dhe pa asnjë ndikim mbi borxhin dhe rritjen e tij", tha Berisha. Kryeministri tha se "rritja e rrogave ka të bëjë mbi të gjitha me investimin në burimet njerëzore". Qeveria shqiptare, tha Berisha, i është përmbajtur kësaj politike me bindjen më të thellë se ky është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë. Rritja e rrogave dhe pensioneve, sipas tij, "është njëkohësisht edhe rritje e fuqisë blerëse". Duke informuar mbi kategoritë që do të përfitojnë nga ky vendim i qeverisë, Kryeministri Berisha tha se do të rriten me 11 për qind rrogat e mjekëve, me 9 për qind rrogat e infermierëve dhe me 6 për qind rrogat e mësuesve. "Ndërsa Forcat e Armatosura, nëpunësit e prefekturave, nëpunësit e institucioneve në varësi të ministrive, Policia e Mbrojtjes nga Zjarri, Shërbimi Informativ, sistemi doganor, nëpunësit në Drejtorinë e Shërbimit Pyjor, nëpunësit e sistemit tatimor dhe Policia e Shtetit do të kenë një rritje nga 4 deri në 5.2 për qind", tha Berisha. Gjithashtu ai tha se do të rriten me 10 për qind rrogat e ulëta, ndërsa nuk do të kenë rritje kësaj radhe asnjë nga rrogat e larta. "Propozimi i bërë për të rritur me 2.5 për qind rrogat e larta të Presidentit të Republikës dhe rrogat e lidhura me të, të Kryeministrit, ministrave, zv.ministrave dhe posteve të tjera politike, nuk do të miratohet. Ne do të rrisim të gjitha rrogat e tjera, përveç rrogave të larta", tha Berisha. Kryeministri uroi që kjo masë e qeverisë të përshëndetet edhe nga opozita, pasi ky ishte një propozim i saj që u mor parasysh./s.s./
KOMENTE