Rezoluta Për Shqipërinë-Bregu: Pe Rikonfirmoi Mbështetjen Për Integrimin E Vendit Në Be
TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Almarina Gegvataj/.- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi sot nga Strasburgu, se "votimi i rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Europian, rikonfirmon mbështetjen e europarlamentarëve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian".
Në një lidhje telefonike nga Strasburgu, Ministrja Bregu përshëndeti miratimin e kësaj rezolute nga PE, e cila, sipas saj, është e dytë brenda këtij viti, e cila votohet pro procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
"Ky është një moment gëzimi jo vetëm për ne që ishim këtu, por për të gjithë ata që janë në një hap me ne drejt BE. Ka patur 5 amendamente të propozuara nga socialistët europianë për votim në seancë plenare dhe ka pasur një gjuhë kompromisi midis partive të djatha e të majta", tha Bregu.
Bregu nënvizoi se "është shumë e rëndësishme që në këtë moment Shqipëria ka një konfirmim shumë pozitiv për procesin e integrimit në BE-së në kundërshtim me të gjithë zërat, të cilët kanë deklaruar që do të kishte një bllokim të këtij procesi dhe një ngrirje të marrëdhënieve në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE".
"Ne jemi të gatshëm për të zgjidhur çfarëdo lloj ngërçi politik të zgjatur. Besoj se ky votim i sotshëm duhet të jetë një mesazh edhe për socialistët shqiptarë, të cilët kanë parë sot se megjithë përpjekjet e tyre për të bllokuar në Tiranë apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyrë të dërguar në Bruksel votimin e kësaj rezolute, nuk ia kanë dalë as kësaj radhe. Madje votat e socialistëve europianë janë bashkuar me deputetë edhe europarlamentarë të tjerë pro integrimit të Shqipërisë", tha Bregu./s.s./