English

Sejdiu: Rezoluta Për Kosovën E Parlamentit Evropian Hap Shumë I Rëndësishëm Cilësor

PRISHTINË, 8 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti Fatmir Sejdiu e përshëndeti Rezolutën për Kosovën të miratuar sot me shumicë dërmuese votash të anëtarëve të Parlamentit Evropian, duke e vlerësuar hap shumë të rëndësishëm cilësor. "Rezoluta për Kosovën e Parlamentit Evropian paraqet një hap shumë të rëndësishëm cilësor të këtij institucioni në raport me vendin tonë", tha Presidenti Sejdiu, i cili ritheksoi se ndërkohë kjo rezolutë dëshmon fuqishëm përkushtimin e vendeve të Evropës për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. "Kjo rezolutë është shumë e rëndësishme edhe për faktin se ajo në mënyrë eksplicite kërkon nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës, që ta bëjnë sa më parë këtë", theksoi Presidenti Sejdiu. Presidenti i Republikës së Kosovës çmoi lart edhe angazhimin e deputetes austriake, Ulrike Lunaçek, e cila e ka përgatitur këtë rezolutë. Po ashtu, Presidenti Sejdiu ripërsëriti se vizioni i vetëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizmat e tjera ndërkombëtare./s.s./
KOMENTE