English

Shkurtimi I Shpenzimeve-Berisha: Ulim Defiçitin Buxhetor Dhe Nuk Lejojmë Rritjen E Borxhit

TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Këshilli i Ministrave vendosi sot të shkurtojë shpenzimet në buxhetin e këtij viti, një vendim, që sipas Kryeministrit Berisha, diktohet nga "vendimi i prerë i Qeverisë për të ulur defiçitin buxhetor dhe për të mos lejuar rritjen e borxhit". Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Berisha tha se "me marrjen e këtij vendimi, Shqipëria përshtatet dhe me situatën e krijuar në Europë nga kriza e borxheve". "Ky vendim bëhet i domosdoshëm jo sepse qeveria nuk mund të marrë borxh, pasi janë të panumërt ata që do të donin t'i jepnin borxh qeverisë, por sepse borxhi publik përbën një 'shpatë Demokleu' mbi sektorin privat. Do të ishte shumë e gabuar që ne të jepnim mesazh tjetër, në një periudhë kur kreditimi i këtij sektori ka rëndësi përcaktuese për zhvillimin e vendit", tha Berisha. Vendimi i qeverisë për të mos lejuar rritjen e borxhit, vuri në dukje Kryeministri Berisha, "përbën mesazhin më pozitiv që mund t'u jepet tregjeve financiare". "Në Europë po qarkullon kriza që ka vendosur monedhën e dytë të botës, euron, në pozita realisht të vështira. Edhe pse nuk jemi vend anëtar i euros, ne bëjmë këtë përkujdesje, e cila është e diktuar nga rrethanat", tha Berisha. Por sipas tij, "entuziazmi dhe rritja e ekonomisë reale shqiptare është në përmasat më të mëdha se ndonjëherë më parë". "Eksportet shqiptare kanë njohur këto 6 muaj rritjen më të madhe në historinë e vendit. Nga 48 miliardë lekë që ishin vitin e kaluar, ato kanë arritur në 82 miliardë lekë 6 mujorin e parë të këtij viti. Industria po rritet, ndërsa transporti, tregtia dhe depozitat kanë rritje dyshifrore. Rritje të përfillshme ka edhe kreditimi", tha Berisha. Masat që po merr qeveria shqiptare për të ulur shpenzimet, sipas Berishës, "përbëjnë një qëndrim të përgjegjshëm, që merret në një situatë kur monedha kryesore e kontinentit është në gjendje të vështirë dhe borxhet e disa vendeve të zhvilluara përreth nesh janë të përmasave të mëdha". Duke informuar mbi masat drastike të disa qeverive të rëndësishme europiane, Kryeministri Berisha tha se qeveria gjermane votoi dje një shkurtim të shpenzimeve me 80 miliardë euro, ndërsa Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni shndërroi në votëbesim, paketën e shkurtimeve". "Kryeministri i Britanisë, David Cameron, shkurtoi me 75 për qind të gjitha bonuset që merrte administrata, bllokoi tërësisht rrogat e larta dhe po bën shkurtime të mëdha shpenzimesh", tha Berisha. Sipas tij, "po bëhet një përpjekje e madhe për të rivendosur ekonominë mbi baza të reja stabiliteti dhe në këtë kontekst Shqipëria po merr qëndrimet e duhura". "Këto shkurtime janë të domosdoshme në mënyrë që të përballemi me sukses me këtë mjegullnajë financiare dhe ekonomike që ka pushtuar një pjesë të gjerë të kontinentit", tha Berisha./s.s./
KOMENTE