English

Sport-Botëror/ Spanja Prek Historinë, Për Herë Të Parë Finaliste E Botërorit

TIRANË, 7 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Spanja, ,kampionia në fuqi e Europës, preu biletën e dytë të finales së Kampionatit të 19-të Botëror të Futbollit, pasi triumfoi 1-0 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalen e dytë, me një gol të shkëlqyer të Karles Pujolit (73', duke mbërritur në të parën finale historike të tyre. Përballë do të ketë Holandën, që nga ana e saj do të luajë finalen e tretë (1974, 1978 dhe tani 2010), por pa e fituar dot në dy të parat. Gjermania do të diskutojë me Uruguain vendin e tretë, ashtu si katër vjet më parë në Botërorin e zhvilluar në vendin e saj. Ndeshja përfundoi ashtu siç e kishte parashikuar oktapodi i famshëm, Paul, që një ditë para ndeshjes kishte paracaktuar me gjeninë e tij Spanjën si fituese. Spanja zhvilloi një ndeshje inteligjente dhe e dominoi të gjithë takimin nda një Gjermanie të lodhur dhe në hije, si në zotërimin e lojës (62%-38%), por dhe goditjet në portë (12-5). Spanja u shfaq rrezikshëm qysh në minutën e gjashtë, kur sulmuesi David Vija u shfaq i vetëm përpara portës, por në momentin e fundit u bllokua nga portieri gjerman, Manuel Nojer. Në mintuën e 15-të, një harkim i Andres Iniestës nga e majta e sulmit të Spanjës gjeti kokën e Karles Pujolit, goditja e të cilit nga thuajse pesë metra larg portës përfundoi mbi shtyllën horizontale. Disa minuta më vonë provoi me një gjuajtje nga distanca Serxhio Ramos, por pa sukses. Në të 26', Serxhio Ramos krosoi, por gjuajta e Pedro Rodriguezit ishte e dobët dhe u prit pa probleme nga Manuel Nojeri. Gjermania u duk në lojë në minutën e 30-të, kur Piotr Troçkovski goditi me të majtën nga rreth 25 metra, por Iker Kazijas e bllokoi pa asnjë problem. Pjesa e dytë nisi me një filim të vrullshëm spanjoll, me disa goditje të rrezikshme ndaj portës gjermane, por forma e mirë e portierit Manuel Nojer nuk i lejoi "demat e kuq" të shënonin. Në të 68', Ozil lëshoi bukur një top brenda zonës për Lukas Podolskin, ky i fundit harkoi për zëvendësuesin Toni Kros, por goditja e fuqishme e gjermanit u grushtua nga portieri Iker Kazijas. Disa momente të mira për formacionin e Johakim Lëvit, që u rikthye në lartësinë e ndeshjeve kundër Anglisë dhe Argjentinës. Goli i Spanjës erdhi pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Ksavi Hernandez në qëndër të zonës rreptësisë, dhe aty i pambuluar nga mbrojtësit gjermane, Karles Pujol kërceu fuqishëm me kokë duke realizuar një supergol në minutën e 73-të, që tronditi gjithë Gjermaninë, deri atëherë heroike. Ashtu si në finalen e Kampionatit Europian 2008, kur Spanja fitoi 1-0 me golin e Fernando Torresit, edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Botës të drejtën për në finalen e Botërorit e fituan spanjollët në të parën finale historike të tyre, ku përballë do të kenë Holandën e Uesli Shnajderit dhe Arjen Robenit. Do të kemi një finale për "Këpucën e artë", David Vija e Uesli Shnajder, të dy nga pesë gola. Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslav Klose, u bë lojtari i parë që luan në tre gjysmëfinale të Kupës së Botës. 31-vjeçari ka luajtur në gjysmëfinalet e vitit 2002 përballë Koresë së Jugut, në vitin 2006 kundër Italisë dhe në vitin 2010 kundër Spanjës. Klose nuk arritur të shënojë gol kundër Spanjës, duke mbetur në kuotën e 4 golave në këtë botëror dhe në 14 në total, një gol larg brazilianit Ronaldo (15 gola). Duhet theksuar se braziliani Kafu, i vetmi futbollist që ka luajtur në tri finale të Kupës së Botës (1994, 1998, 2002) ishte në bankinë gjatë gjysmëfinaleve të vitit 1994. Gjermani - Spanjë 0-1 Shënues: Puyol 73' Gjermania (4-2-3-1): Neuer; Lahm, Mertesacker, Friedrich, Boateng (Jansen); Schweinsteiger, Khedira (Gomez); Trochowski ( Kroos), Özil, Podolski; Klose. (Wiese, Butt, Aogo, Tasci, Kiessling, Badstuber, Cacau, Marin). Trajner: Joachim Loew Spanja (4-3-2-1): Casillas; S. Ramos, Puyol, Piqué, Capdevila; Busquets, Xavi, Xabi Alonso (Marchena); Pedro (Silva), Iniesta; Villa (Torres). (Reina, Valdes, Albiol, Fabregas, Mata, Arbeloa, Llorente, Javi Martinez, Silva, Navas).Trajner: Vincente Del Bosque
KOMENTE
  • Anizel13:38 - 08 Korrik 2010
    super ndeshje......urime spanja