Sport-Botëror/ Uruguaj - Gjermani, Sfida E "Të Zhgënjyerve" Të Botërorit
TIRANË, 8 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/ - Sfida e ditës së shtunë mes Uruguajit dhe Gjermanisë mund të cilësohet si ndeshja e skuadrave të zhgënjyera nga Botërori "Afrika e Jugut 2010".
Të dyja këto ekipe në start të turneut në më të madh futbollstik në botë nuk shiheshin si favorite, por ato ishin vetëm një hap larg finales së madhe të Johanesburgut, që në fund i takoi Spanjës dhe Holandës.
Shumë pak ekipe kanë historinë futbolistike si Uruguaji. Ky vend i vogël me jo më shumë se 3 milionë banorë, numëron shumë tituj botërorë, olimpikë, kontinentalë që e ngre atë në piedestalin e më të mirëve të planetit.
Në këtë botëror ky formacion i kaloi objektivat e tij pasi në përbërjen kishte shumë talente si, Diego Forlan, Luis Suarez, të cilët luajtën për gjithçka në këtë Botëror.
Në Afrikën e Jugut 2010, Uruguaj bëri prezencën e 11-të të tij në Kupat e Botës. Ai ka organizuar edicionin e parë më 1930 duke u shpallur kampion bote, pasi mundi Argjentinën në finale 4-2.
Ndërsa 3 herë kampionia e Botës dhe kandidatja për titull, Gjermania, zhvilloi lojën më spektakolare në këtë Botëror. Mbasi ka fituar titullin botëror në Zvicër më 1954, në vendin e saj në 1974 dhe në Itali në vitin 1990, ekipi i drejtuar nga Joachim Loev, dështoi këtë vit të ngrejë për të katërtën herë trofeun më të çmuar të botës së futbollit. Gjithsesi, ndaj Uruguajit mund të barazojë vendin e tretë të Botërorit 2006.
Përfaqësuesja gjermane erdhi në këtë turne shumë e motivuar, me një eksperiencë të madhe, pjekuri taktike dhe tepër kompetitive mbas një faze kualifikuese tepër cilësore për ta. Mbas titullit nënkampion bote në Japoni dhe Koren e Jugut më 2002, vendin e tretë në Botërorin e kaluar në shtëpinë e tyre, si dhe vendin e dytë në Euro 2008, lojtarët gjermanë pësuan goditjen më të fortë në gjysëmfinale ku duhej të dorëzoheshin ndaj Spanjës 1-0.
"Finalja e vogël" ndaj Uruguajit, për vendin e 3-4 të Botërorit, ka më tepër shijen e zhgënjimit për gjermanët që me lojën e tyre bënë të shpresonin të gjithë tifozët. Tashmë objektivi i tyre i vetëm duket se ka mbetur shpallja e sulmuesit Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë i Botërorit 2010 dhe si golashënuesi më i mirë i të gjitha kupave të Botës. /a.ke/