English

Sport- Fshf, Apeli Hedh Poshtë Vendimin E Disiplinës, I Jep Të Drejtë Muzakës Ndaj Tiranës

TIRANË, 8 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/ - Komisioni i Apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit hodhi sot poshtë vendimin e marrë dje nga Komisioni i Disiplinës, i cili në çështjen mes klubit "FK Tirana" dhe futbollistit Gjergji Muzaka, kishte vendosur t'i jepte të drejtë pikërisht skuadrës bardheblu. Sipas vendimit të djeshëm të KDS, futbollisti i ekipit kombëtar, Gjergji Muzaka, duhet t'i paguajë Tiranës detyrimin prej 45 mijë eurosh për të luajtuar më pas gjatë këtij sezoni me Dinamon. Në vendimin e KDS thuhej se "në kushtet kur nga ana e lojtarit Gjergji Muzaka, me anë të aktmarrëveshjes datë 28/08/2008, është pranuar dhe njohur detyrimi i tij për shumën prej 45.000 euro ndaj KF Tirana, paguar prej këtij klubi tek KF Partizani, si dhe në kushtet kur konstatohet se pavarësisht përfundimit të kontratës midis këtij lojtari dhe KF Tirana, ky detyrim nuk rezulton i shlyer, lojtari Gjergji Muzaka duhet të shlyejë këtë detyrim ndaj KF Tirana në masën 45.000 euro për të qenë i lirë për marrjen e lejes së federimit nga FSHF për në klube të tjera". Por sot, Komisioni i Apelit i dha të drejtë lojtarit pas ankimimit të tij, duke hedhur poshtë vendimin e KDS. "Komisioni i Apelit vendosi ndryshimin e vendimit të KDS duke pranuar kërkesen e lojtarit të KF "Dinamo" Gjergji Muzaka dhe duke rrëzuar pretendimet e KF "Tirana" si të pabazuara në Rregulloren e Veprimtarisë Futbollistike Kombëtare dhe Rregullave për Statusin dhe Tranferimin e Lojtarëve", thuhej në vendimin e Komisionit të Apelit. Ky vendim mund të ndryshojë transferimin e Muzakës tek kampionët e Shqipërisë, Dinamo, e cila sheh tek Muzaka një nga lojtarët kryesorë për të përballuar sfidat e Champions League ndaj kampiones moldave, Sheriff Tiraspol. /a.ke/
KOMENTE