English

Sport-Futboll/ Laçi, Eleminim Me Goleadë Nga Europa League

TIRANË, 8 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ .- Laçi ka provuar se çdo të thotë të luash në Kupat e Europës, ku ka debutuar për herë të parë në historinë e vet, kundër Dnepro Mogilev të Bjellorusisë. Nëse në ndeshjen e parë, të luajtur para një jave, në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit bëri diçka, teksa kryesonte deri në minutat shtesë 1-0, falë një goli të sulmuesit të ri, Marashi, kur edhe u ndëshkua nga goli i barazimit të miqve, në ndeshjen e kthimit, luajtur në Bjellorusi, Laçi ka treguar dobësi të mëdha. Gjë që e tregon edhe rezultati i thellë 7-1, një humbje dëshpëruese për të gjithë tifozët e bardhezinjve, që prisnin më shumë nga lojtarët e tyre. Përmes një formacioni të ngjashëm me ndeshjen e parë, trajneri Nica ka menduar se mund t'ia dalë në Bjellorusi, por nuk ka ndodhur kështu. Mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë është ndier në të dyja sfidat, teksa kjo detyrë u ka rënë mbi supe dy mesfushorëve, Vucajt dhe Nimanit. Kurbinasit kanë pësuar gol që, në minutën e 10-të të lojës, me anë të Bychenok, duke paralajmëruar humbjen e sigurt. Laçianët nuk kanë pasur forca për të reaguar, ndaj bjellorusët e Dnepr të Mogilevit kanë nxituar të dyfishojnë rezultatin dhe e kanë arritur shumë shpejt, në minutën e 17-të, me anë të Yurchenkos. Nuk do të mbaronin këtu golat e bjellorusëve, sa i takon pjesës së parë, sepse Zenkovich, në minutën e 42-të, ka trefishuar epërsinë. Me këtë rezultat mbyllen edhe 45 minutat e para të lojës, rezultat i cili nuk linte aspak shpresë për ndonjë reagim të Laçit. Pjesa e dytë ka qenë edhe më e furishme se e para për vendasit, që nuk kanë të ngopur me gola. Bjellorusët realizojnë edhe 4 gola, në portën e Llanit. Golin e vetëm, atë të nderit, në një ndeshje ku Laçi është mposhtur thellësisht, e ka shënuar shkodrani Nimani, në minutën e 60-të. Kështu, Laçi pëson një disfatë shokuese në ndeshjen e kthimit me Dnepr Mogilev, në vazhdën e disa rezultateve të skuadrave shqiptarë në Europë, ç'ka tregon jo vetëm humnerën e madhe profesionale me futbollin që luhet përtej kufive, edhe në vende si Bjellorusia, por edhe zërat për mungesën e lojës së ndershme nga ekipet shqiptare. Europa League, raundi i parë kualifikues Stadiumi "Spartak Mogilev" Dnepr Mogilev - Laçi 7-1 (1-1) Shënues: Bychenok 10', Yurchenko 17', 56' 81', Zenkovich 42' 90', Chernykh 87' / Nimani 60' Dnepr: Ruslan Kopantsov, Evgeni Kapov (C), Andrei Gonchar, Denis Obrazov, Vladimir Shuneiko, Aleksandr Bychenok, Maksim Karpovich (Andrei Raspopov 61'), Vladimir Yurchenko, Andrei Poryvaev (Mikhail Kozlov 46'), Dmitri Turlin, Igor Zenkovich (Fedor Chernykh 67'), Trajner: Andrey Skarabagatska Laçi: Ervin Llani, Julian Brahja (C), Emiljano Çela, Jetmir Nina, Ervis Kaja (Elio Shazivari 46'), Sajmir Kastrati, Erjon Vucaj, Valdon Nimani, Emiliano Veliaj, Ardjan Gega (Bledar Marashi 30'), Enri Tafaj, Trajner: Stavri Nica
KOMENTE