English

Sport-Futboll/ Tirana Kualfikim Në Kohën Shtesë Në Europa League

TIRANË, 8 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Tirana u kualifikua në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, pasi fitoi 1-0 në kohën shtesë me Zalaegerszegi TE, falë një goli të realizuar nga Erando Karabeci në minutën e 107-të, pasi më parë në të 90'+3, Sebino Plaku kishte humbur një penallti. Takimi i parë në "Qemal Stafa" kishte përfunduar në barazim pa gola. Në turin e dytë eliminator, Tirana do të përballet me holandezët e Utrehtit, ndërkohë po në këtë fazë të këtij kompeticioni, Besa e Kavajës, fituesja e Kupës së Shqipërisë do të sfidojë gjigantët grekë të Olimpiakosit të Pireut. Për herë të fundit, Tirana ishte kualifikuar për në turin e dytë të një kompeticioni evropian, në edicionin 2006-2007, kur eliminoi në turin e parë të Kupës UEFA, kroatët e Vartesk Varazhdinit (1-1, 2-0), por u eliminuan në turin e dytë nga turqit e Kaseijisportit (1-3, 0-2). Kjo është hera e tetë për 24-herë kampionët e Shqipërisë që kalojnë një tur, kur për herë të parë e kanë realizuar në vitin 1987, kur eliminuan në turin e parë të Kupës së Kupave, Dinamon e Bukureshtit (2-1, 1-0), përpara se të eliminoheshin nga suedezët e Malmoes(0-0, 0-3). Europa League, raundi i parë kualifikues Stadiumi "Zalaegerszeg" ZTE - Tirana 0-1 Shënues: Karabeci 107' ZTE (4-4-2): Pogacsics, Szalai, Miljatoviç, Bogunoviç, Todoroviç, Magasfoldi, Mate, Horvath, Illes, Paviçeviç, Rudnevs. Trajner: Janos Csank Tirana (4-1-2-3): Lika, Sina, Pashaj, Osmani, Metani, Lila, Karabeci, S.Lilaj, Hajdari, Plaku, Pejiç. Trajner: Sulejman Starova.
KOMENTE