English

Topalli: Shqipëria Nuk Është Më Vend Tranzit Për Trafikimin E Fëmijëve

TIRANË, 8 Korrik/ATSH-M. Shkurta/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke e konsideruar trafikun e fëmijëve një sfidë globale, vlerësoi se "në sajë të masave parandaluese të ndërmarra nga qeveria, Shqipëria nuk është më vend tranzit për trafikimin e fëmijëve". E ftuar në konferencën "Trafikimi i qenieve njerëzore në shekullin e 21-të. Parandalimi dhe lufta kundër tij: Sfida dhe perspektiva", organizuar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Fondacionin gjerman, Hanns Seidel, Tiranë, kryetarja Topalli tha se, "Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme në luftën kundër trafikimit, gjë që ka bërë të mundur që ne, sot në Parlamentin Europian, të kemi një votë për një rezolutë për Shqipërinë, ku paragrafi kryesor është për liberalizimin e vizave". Topalli u shpreh se "Shqipëria është vlerësuar si vendi me praktikën më të mirë në rajon për ndërtimin dhe vënien në funksionim të bazës së të dhënave për viktimat e trafikut. Rezultatet e luftës kundër këtij trafiku, janë pjesë e përmbushjes së detyrimeve për liberalizimin e vizave". Sipas kryeparlamentares, vendimet më të fundit të BE-së për heqjen e vizave dhe statusin, janë jo vetëm njohje e arritjeve, por edhe përgjegjësi të reja në luftën ndaj krimit dhe trafikut. Vetëm gjatë vitit 2008, jane identifikuar 104 raste të trafikimit me 154 autorë dhe gjatë vitit 2009, 46 raste me 73 autorë dhe krahasuar me te njejten periudhe te vitit 2009, rastet kriminale në drejtim të trafiqeve të paligjshme kanë nje nivel në rënie dhe kjo falë një lufte efikase, tha ajo. Duke vlerësuar se "Strategjia Kombëtare e Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore 2008-2010, është një strategji konkrete që po zbatohet me seriozitet", Topalli bëri të ditur se pak ditë më parë, për herë të parë ka mbërritur në Kuvend një projektligj i plotë për "Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve". Topalli garantoi se "ky projektligj do të diskutohet gjerësisht në komisionet përkatëse me debate të hapura me grupet e interesit, shoqatat në mbrojtje të fëmijëve dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë që të kemi një kuadër ligjor sa më fortë në mbrojtje të fëmijëve". Të rëndësishëm në luftën kundër këtij fenomeni, kryeparlamentarja vlerësoi ligjet "Për Moratoriumin e mjeteve të lundrimit", "Antimafia", "Për mbrojtjen e dëshmitarëve", miratimin e një sërë marrëveshjesh me vendet fqinje për mbrojtjen dhe asistencën për fëmijët viktima të trafikimit, ratifikimin e gjithë Konventave të Këshillit të Europës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Topalli tha se tre muaj më parë u miratuan ndryshimet ligjore të cilat parashikojnë përfshirjen për herë të parë në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike edhe të një kategorie të re, viktimave të trafikimit. Sipas saj, "miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore që parashikon projekligji "Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore", i hap rrugën mbështetjes me pagesa të viktimave të trafikut pas daljes së tyre nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social". /a.ke/
KOMENTE