Vlorë, Arrestohen Tre Persona, Njëri Nga Të Cilët Për Trafik Qeniesh Njerëzore
VLORË, 8 Korrik/ATSH-H.Koçi/.-Policia e Vlorës arrestoi sot pasdite tre persona, banorë të këtij qyteti, njeri prej të cilëve për llogari të prokurorisë së Gjirokastrës, i akuzuar për trafik të qenieve njerëzore.
Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Ylli Metko, bëri të ditur për ATSH-në se 43 vjeçari Vullnet Sinaj u kap me një armë automatike, gjatë kohës që ishte i shoqëruar me 23 vjeçarin Lulëzim Shkurtaj, person i shpallur në kërkim për shkak se gjykata e shkallës së parë në Gjirokastër, kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest në burg", me akuzën e trafikut të qenieve njerëzore.
Bashkë me dy personat e mësipërm, u arrestua edhe vëllai i Shkurtajt, 31 vjeçari Elidon Shkurtaj, të cilit ju bllokua një armë pistoletë, që tentoi ta përdorte në çastin që policia po e prangoste./s.s./